Presidenti amerikan Donald Trump dhe kryeministri britanik Sir Keir Starmer kanë zhvilluar një takim në Shtëpinë e Bardhë, ku kanë diskutuar për një marrëveshje të re tregtare mes dy vendeve. Ky hap vjen pas viteve të pritjes dhe negociatave të pasuksesshme nga administratat e mëparshme në Uashington dhe Londër.
Gjatë bisedimeve, Trump vlerësoi Starmer si një “njeri të veçantë” dhe një “xhentëlmen të vërtetë”, ndërsa pranoi se ai kishte luajtur një rol kyç në rihapjen e diskutimeve për një marrëveshje të re tregtare. Sipas burimeve nga Downing Street, kryeministri britanik investoi shumë për të bindur presidentin amerikan që të përjashtojë Britaninë nga tarifat e reja që administrata e Trump synon të vendosë ndaj Bashkimit Evropian. Trump e cilësoi Starmer si një “negociator të fortë”, një koment që u prit me entuziazëm nga përfaqësuesit e biznesit britanik.
Ndërsa marrëveshja nuk është finalizuar ende, ajo pritet të përfshijë fusha të reja si inteligjenca artificiale dhe shërbimet online, ku të dy vendet janë liderë globalë. Sektori i financave dhe shërbimeve ligjore, që përbën një pjesë të madhe të eksporteve britanike drejt SHBA-së, pritet të përfitojë gjithashtu.
Një nga çështjet më të ndjeshme mbetet importi i produkteve ushqimore amerikane, veçanërisht mishit, që ka shkaktuar debate për ndikimin e tij në tregun britanik të fermerëve. Pavarësisht kësaj, sektori farmaceutik dhe industria e prodhimit të makinave pritet të përfitojnë nga shmangia e tarifave.
Në përpjekjen për të bindur Trumpin, Starmer e cilësoi marrëveshjen si “të ndershme, të balancuar dhe reciproke”, një qëndrim që duket se ka dhënë rezultate. Downing Street e konsideron këtë takim një sukses të madh diplomatik, ndërsa media britanike, zakonisht kritike, ka vlerësuar qasjen e Starmer në negociata.