Izraeli ka pranuar kushtet e nevojshme për të finalizuar një armëpushim 60-ditor në Gaza, ka deklaruar presidenti amerikan Donald Trump.
Në një postim në rrjetin e tij Truth Social, Trump tha se gjatë marrëveshjes së propozuar “do të punojmë me të gjitha palët për t’i dhënë fund luftës”, pa dhënë detaje mbi kushtet konkrete.
“Ata të cilët kanë punuar shumë për të sjellë paqen, do ta dorëzojnë këtë propozim final. Shpresoj që… Hamasi ta pranojë këtë marrëveshje, sepse nuk do të ketë më të mirë, do të përkeqësohet” shkroi Trump.
Ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon, deklaroi se Izraeli është absolutisht i gatshëm për një armëpushim, por mbetet e paqartë nëse Hamasi do të pranojë kushtet e marrëveshjes së propozuar.
Kjo deklaratë e Trump vjen përpara një takimi të planifikuar me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu javën e ardhshme, ku presidenti amerikan është shprehur se do të jetë “shumë i vendosur”.
Trump u shpreh të martën se beson që Netanyahu dëshiron t’i japë fund luftimeve në Gaza.
“Dëshiron. Ju them se ai dëshiron. Mendoj se do të kemi një marrëveshje javën tjetër,” shtoi ai.
Të martën, ministri izraelit për Çështjet Strategjike, Ron Dermer, ishte planifikuar të takohej në Uashington me të dërguarin special amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, sekretarin e Shtetit Marco Rubio dhe zëvendëspresidentin JD Vance.
Duke folur për BBC News, Danon deklaroi se Hamasi po “luan ashpër”. “Ne po ushtrojmë presion ndaj Hamasit, dhe nëse ata nuk ulen në tryezën e bisedimeve, e vetmja mundësi për të kthyer pengjet do të jetë të shtojmë presionin ushtarak,” tha ai. “Lufta do të përfundojë vetëm kur pengjet të jenë kthyer në shtëpi,” shtoi Danon.
Rreth 50 pengje izraelite ndodhen ende në Gaza, dhe të paktën 20 prej tyre besohet se janë ende gjallë.
Javën e kaluar, një zyrtar i lartë i Hamasit tha për BBC-në se ndërmjetësit kanë intensifikuar përpjekjet për një marrëveshje të re për armëpushim dhe lirimin e pengjeve, por bisedimet me Izraelin janë ende të bllokuara.
Izraeli ka deklaruar se konflikti mund të përfundojë vetëm pasi Hamasi të jetë çmontuar plotësisht. Hamasi, nga ana e tij, ka kërkuar një armëpushim të përhershëm dhe tërheqjen totale të Izraelit nga Gaza.
Komentet e Trump vijnë menjëherë pas urdhrave të Izraelit për evakuime në veri të Gazës, përpara një intensifikimi të aksioneve ushtarake. Të paktën 20 palestinezë u vranë nga një sulm ajror izraelit në një kafene pranë bregdetit në qytetin e Gazës të hënën, sipas mjekëve dhe dëshmitarëve.
Izraeli nisi fushatën ushtarake në Gaza pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, ku u vranë rreth 1,200 persona. Që prej asaj kohe, mbi 56,647 persona janë vrarë në Gaza, sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.
Këtë javë, ushtria izraelite tha se po heton raportet për civilë të “dëmtuar” teksa i afroheshin qendrave të shpërndarjes së ndihmave të operuara nga Gaza Humanitarian Foundation (GHF), e mbështetur nga SHBA dhe Izraeli.
Më shumë se 170 organizata bamirësie dhe OJQ të tjera kanë kërkuar mbylljen e kësaj organizate të diskutueshme. Oxfam dhe Save the Children thonë se forcat izraelite “rregullisht” hapin zjarr ndaj palestinezëve që kërkojnë ndihma.
Izraeli mohon akuzat dhe thotë se organizata është e nevojshme për të shmangur ndërhyrjen e Hamasit në shpërndarjen e ndihmave.
Në mars, një marrëveshje e mëparshme për armëpushim u shemb pasi Izraeli ndërmori sulme të reja ajrore në Gaza. Ushtria izraelite i quajti këto si “sulme parandaluese, bazuar në përgatitjet e Hamasit për të kryer sulme terroriste, grumbullim të forcave dhe riarmatime”.
Marrëveshja e mëparshme, e cila filloi më 19 janar, përfshinte tre faza, por nuk shkoi përtej fazës së parë.
Faza e dytë përfshinte krijimin e një armëpushimi të përhershëm, kthimin e pengjeve të mbijetuar nga Gaza në këmbim të të burgosurve palestinezë në Izrael, si dhe tërheqjen e plotë të forcave izraelite nga Gaza.