Aksidenti ajror ne indi 1024x590

Ekipet e kërkim-shpëtimit, të shoqëruara nga qen nuhatës, kanë vijuar punën intensive në vendin e aksidentit tragjik të një avioni pasagjerësh në Indi, i cili po udhëtonte drejt Londrës.

Avioni tip Boeing 787-8 Dreamliner u rrëzua mbi një zonë të banuar në qytetin Ahmedabad, duke shkaktuar të paktën 265 viktima, përfshirë pasagjerë dhe banorë në zonë.

Në bord ndodheshin 242 persona, mes tyre 217 të rritur, 13 fëmijë (përfshirë 2 foshnja), si dhe 10 anëtarë të ekuipazhit dhe 2 pilotë. Vetëm një person arriti të mbijetojë: Vishwash Kumar Ramesh, shtetas britanik me origjinë indiane, i cili aktualisht ndodhet në spital në gjendje të stabilizuar.

Pamjet e para pas aksidentit treguan Ramesh duke ecur i gjakosur dhe i çalë drejt ambulancës. Sipas policisë, ai ndodhej pranë daljes së emergjencës dhe arriti të hidhej jashtë në momentet e fundit. Vëllai i tij, Nayan Kumar Ramesh, nga Leicester i Britanisë së Madhe, deklaroi: “Ai më tha: ‘Nuk e di si dola nga avioni.’”

Aksidenti ndodhi vetëm pak sekonda pas ngritjes nga pista. Avioni ishte ngjitur vetëm në një lartësi prej 100 metrash kur lëshoi sinjalin SOS dhe më pas u përplas.

Bishti i avionit përfundoi në katin e dytë të një hoteli për stafin mjekësor, ndërsa pjesa e përparme dhe rrotat ranë mbi një mensë ku studentët po konsumonin drekën.

Zëvendës-shefja e policisë, Kanan Desai, konfirmoi se deri tani janë gjetur 265 trupa, por numri mund të rritet.

Kryeministri Narendra Modi, i cili vizitoi zonën e goditur të premten, e cilësoi aksidentin si “një tragjedi që nuk përshkruhet me fjalë”. Ndërkohë, kompania Air India konfirmoi se 169 pasagjerë ishin shtetas indianë, ndërsa mes viktimave kishte edhe 53 britanikë, 7 portugezë dhe 1 kanadez.

Një nga dy kutitë e zeza është gjetur, raportoi Hindustan Times. Ekspertët e sigurisë ajrore nga Britania dhe SHBA kanë njoftuar se po dërgojnë ekipe për të ndihmuar hetimin që po kryhet nga autoritetet indiane.

Grupi Tata, që zotëron Air India, ka njoftuar se do t’u japë 86 mijë Paund familjeve të viktimave. Po ashtu, do të mbulojë shpenzimet mjekësore të të plagosurve dhe do të ndihmojë në rindërtimin e godinës së kolegjit mjekësor të dëmtuar nga përplasja.

Ngjarja ka tronditur opinionin publik, duke sjellë në kujtesë aksidente të mëparshme tragjike në Indi. Në vitin 1996, dy avionë u përplasën në ajër mbi Delhi, duke vrarë rreth 350 persona. Në 2010, një avion i Air India Express u përplas në Mangalore, duke lënë 158 të vdekur.

Ekspertët e aviacionit thonë se është ende herët për të përcaktuar shkakun e saktë të rrëzimit, por përjashtojnë mundësinë që avioni të ketë qenë i ngarkuar mbi normë ose me tepricë karburanti.

“Avioni është ndërtuar të fluturojë edhe me një motor të vetëm. Më e mundshmja është një dështim i dyfishtë i motorëve, që zakonisht shkaktohet nga goditja nga zogjtë,” tha Jason Knight, pedagog në Universitetin e Portsmouth në Britani.

Zyra e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar ka deklaruar se është në kontakt me autoritetet indiane për të ndihmuar në hetim dhe për të mbështetur familjet e viktimave.

Aeroporti Gatwick po përgatit një qendër pritjeje për të afërmit e pasagjerëve.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights