Dy familje, një greke dhe një shqiptare, u përballën me dhimbjen më të madhe, humbjen e fëmijëve të tyre. Por në kulmin e tragjedisë, ata zgjodhën të japin jetë. Organet e Spiros dhe Kleonit janë dhuruar për fëmijë të tjerë që kanë nevojë për shpëtim, duke kthyer dhimbjen në shpresë.
Mesditën e së premtes, dy fëmijë, Spiros 14 vjeç nga Greqia dhe Kleoni 12 vjeç nga Shqipëria, u shpallën të vdekur klinikisht në spitalin “Rio” të Patras, pas përpjekjeve të dëshpëruara të mjekëve për t’i mbajtur në jetë.
Por tragjedia që përfshiu dy familje u kthye në një akt të rrallë humanizmi. Prindërit e Spiros vendosën menjëherë të dhurojnë organet e të birit, një vendim i ndjekur më pas edhe nga prindërit e Kleonit, të cilët me lot në sy e shndërruan dhimbjen e tyre në një mundësi për jetë për të tjerë.
“Djali im iku nga kjo jetë, e mori Zoti, por zemra e tij mbeti në Greqi, t’i dhurohet një fëmije tjetër e t’i shtojë jetën që do bënte djali im”, – u shpreh i përlotur babai i Kleonit. Ai kërkoi ndjesë publike për prindërit e Spiros, djaloshit që u hodh në ujë për të shpëtuar të birin, dhe shprehu një dëshirë të fundit: “Kur të vijë dita që të mësoj se kush e mori zemrën e djalit tim, le të bëjë tek ajo zemër shqiponjën e Shqipërisë.”
Pranë tyre, mjekët e spitalit “Rio” nuk i mbajtën dot emocionet. Drejtori i Reanimacionit, Andreas Iliadhis, tha me zë të ngjirur nga ngashërimi: “Kleoni i vogël dhe Spiros, së bashku, aty pranë, tek shtretërit e reanimacionit… sot hapin flatrat e tyre dhe japin jetë tek shumë fëmijë të tjerë. Përfundimisht… zemrat nuk kanë ngjyrë.”
Emigranti shqiptar Letian Gega, i njohur nga miqtë si “Leon nga Berati”, u hodh pa menduar në ujërat e rrëmbyeshme për t’i shpëtuar fëmijët. “Falenderoj Leon që u mundua të shpëtonte jetën e djalit tim, megjithëse Zoti e mori se e donte për vete”, – vijoi babai i Kleonit. Në një Greqi ku komunitetet shpesh ndahen nga përkatësitë kombëtare, kjo histori bëri bashkë dy prindërime të dhimbshme, dy popuj dhe shumë jetë të reja që tani kanë një shans tjetër për të jetuar.