Policia e Shtetit njoftoi se falë bashkëpunimit me autoritetet europiane, më saktësisht ato franceze, është arrestuar një pjesëtar i një organizate kriminale në Shqipëri.
Bëhet fjalë për 50-vjeçarin Paul (Agustin) Deda, ndaj të cilit Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg.
“Nga hetimet e kryera dyshohet se shtetasi Paul Deda, në bashkëpunim me shtetas shqiptarë dhe italianë, kanë tentuar të trafikojnë në Itali, nëpërmjet rrugës detare, 1016 kilogramë lëndë narkotike kanabis sativa të kultivuar në Shqipëri. Sasia e lëndës narkotike u sekuestrua në Bari, nga Policia italiane, ku gjithashtu u arrestuan 2 pjesëtarë të kësaj organizate kriminale”, njoftoi policia.
Deda është ish-truproja i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Ai rezulton i dënuar në mungesë nga Gjykata e Posaçme me 8 vite heqje lirie për trafik droge dhe grup kriminal. Ai u mor i pandehur bashkë me Hekuran Markun, po ashtu, ish-shoqërues i Tahirit dhe i dënuar në kuadër të dosjes së njohur “Shpirti”.
Deda dhe Marku u akuzuan si të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të kanabisit të drejtuar nga Ilirjan Duçellari.
Ky grup akuzohej për trafikim të lëndëve narkotike në sasi të mëdha në vitet 2017-2018. Sipas SPAK, 2 truprojat kanë bashkëpunuar me shtetas italiane dhe një shqiptar për të trafikuar rreth 1 ton kanabis drejt Italisë.
Deda kërkoi azil politik në Francë, por siç duket është refuzuar dhe tashmë pritet të ekstradohet në Shqipëri.