Policia greke ka shkatërruar një grup të shitjes së heroinës në Athinë, të drejtuar nga një shqiptar me precedentë penalë. Operacioni është zhvilluar nga policia e Athinës në bashkëpunim me forcat speciale EKAM.
Policia greke kishte siguruar informacion lidhur me një grup kriminal që shiste sasi të mëdha droge në zonën e Lekanopedio të Athinës. Për këtë është organizuar operacioni ku është ndërhyrë në 8 adresa të ndryshme të Athinës.
Gjatë kontrolleve janë sekuestruar 12 kg 66 gram heroinë, 32.5 gram marijuanë, 360 tableta narkotike, 38 mijë e 295 euro, 4 automjete, 1 taksi, 1 motorr, 1 shkop, 1 taser, 7 peshore dhe 14 celularë.
Policia greke ka arrestuar kreun e grupit kriminal, shtetasin shqiptar Ardian Bushi 47 vjec si dhe 8 shtetas grekë. Janë proceduar penalisht edhe 4 shtetas të tjerë grekë, tre prej të cilëve të burgosur për vepra të tjera penale.
Në vitin 2002 ai është arrestuar nga stacioni i policisë Omonia për shitje droge, kundërshtim i forcave të policisë dhe shkelje të ligjit për emigrantët.
Në vitin 2019 është arrestuar sërish nga stacioni i policisë Filadelfia për shitje heroine dhe kundërshtim të forcave të policisë pasi gjatë arrestimit goditi një punonjës të ekipit DIAS.
