Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe më 24 korrik 2025 ka dërguar për gjykim shtetasin A.V dhe avokaten E.L të akuzuar për “Ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Ky proces vjen si pjesë e hetimeve të lidhura me dosjen e njohur si “Toyota Yaris”, ku SPAK ka evidentuar se A.V ka kërkuar nga E.L, e cila është avokate, të ushtrojë ndikim të paligjshëm te gjyqtari i seancës paraprake, për të favorizuar persona të tjerë të përfshirë në çështje penale.
Hetimet e mëtejshme nga SPAK vazhdojnë për të zbuluar episodet e tjera të korrupsionit, përfshirë ndikimet e paligjshme ndaj gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë, në kuadër të kësaj dosjeje.
Njoftimi i plotë i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe më 24.7.2025, ka dërguar për gjykim procedimin penal, nr.26/1/1 viti 2025 në ngarkim të të pandehurve: A.V, i akuzuar për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, i parashikuar nga neni 245/1, paragrafi (1) të Kodit Penal (sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021). E.L e akuzuar për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 245/1, paragrafi (2) i Kodit Penal (sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021).
Ky procedim penal është ndarë nga ai i mëparshëm me nr.26/1, datë 26.12.2024, për veprat penale: “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsion pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, “Trafikim i narkotikëve”, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga nenet 245/1, 319/ç, 283/a dhe 287 të Kodit Penal.
Nga veprimet hetimore të kryera për këtë procedim penal janë mbledhur provat e nevojshme të cilat provojnë se:
Në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë në datën 14.09.2020 është zhvilluar seanca paraprake për gjykimin e kërkesës për dërgimin në gjyq të procedimit penal nr.71 viti 2020 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë në ngarkim të shtetasve A.V, E.V dhe A.M, të akuzuar për veprën penale “Mosdeklarim në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë” , e kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 179/a dhe 25 të Kodit Penal.
Nga hetimet e kryera është provuar se i pandehuri, A.V i ka kërkuar të pandehurës, E.L e cila ushtron profesionin e avokates, të ushtrojë ndikim të paligjshëm te gjyqtari i seancës paraprake, me qëllim për të favorizuar disa persona.
E pandehura E.L i ka premtuar dhe i ka siguruar të pandehurit, A.V aftësinë për të ushtruar ndikim të paligjshëm te gjyqtari i seancës paraprake, kundrejt përfitimit të parregullt në formë monetare, me qëllim për të favorizuar personat, për të cilët ishte kërkuar dërgimi i çështjes në gjyq në atë procedim penal.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po vijon hetimet paraprake për episode të tjera të kryerjes së veprave penale të korrupsionit aktiv dhe korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë, si dhe rrethanave dhe fakteve të tjera që kanë dalë nga hetimet e kryera lidhur me këtë procedim penal