Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se numri i emigrantëve shqiptarë që kanë fituar të drejtën e votës ka arritur në 241,765, ndërkohë që ende janë në shqyrtim 6 mijë kërkesa të tjera, që mund ta rrisin këtë shifër për zgjedhjet e 11 Majit.
Mbi 44 mijë kërkesa janë refuzuar për shkak të mangësive në dokumentacion, por KQZ ka siguruar se ata që kanë hasur probleme do të kenë mundësinë të riaplikojnë deri më 9 Mars, me asistencë nga ana e KQZ.
Qarku i Tiranës është ai që ka regjistruar numrin më të madh të kërkesave të miratuara, me rreth 75 mijë zgjedhës. Tirana gjithashtu ka më shumë mandate, 37, dhe është qarku që përfaqëson pjesën më të madhe të votuesve nga jashtë. Pas Tiranës, Fieri është qarku i dytë me numrin më të madh të votuesve, ndjekur nga qarqet e Durrësit, Elbasanit, Korçës, Vlorës dhe Shkodrës. Regjistrime më të ulëta ka pasur në qarqet Dibër, Gjirokastër dhe Kukës.
Italia dhe Greqia mbajnë pjesën më të madhe të regjistrimeve, pasuar nga Gjermania, SHBA dhe Anglia. Në 9 Mars pritet të publikohet një listë paraprake me emrat e votuesve, qarqet ku do të votojnë dhe shtetet nga janë dërguar zarfet.
Për zgjedhjet e 11 Majit, emigrantët do të mund të votojnë edhe me dokumente të skaduara, ndërsa qeveria do të mbulojë shpenzimet për marrjen dhe dërgimin me postë të fletëve të votimit. Votat do të numërohen në KQZ dhe rezultatet do të shpërndahen sipas qarqeve përkatëse.