640 0 1735123654xauto auto a 341 752x440 117350366531735112338

Ngjarja e rëndë e shpërthimit të ndodhur në një apartament në katin e nëntë të një pallati në rrugën “Sadik Petrela” në Tiranë po merr përmasa më komplekse. Burime nga grupi hetimor konfirmojnë se lënda plasëse është hedhur nga një dron, ndërsa ende nuk ka identifikim të autorëve të ngjarjes. Aktualisht, ekspertët po analizojnë mbetjet e dronit për të zbuluar detaje që mund të çojnë drejt zbardhjes së këtij akti të pazakontë.

Pronari i apartamentit ka deklaruar para hetuesve se banesa ishte dhënë me qira që prej fundit të korrikut një çifti, ndërsa ai vetë ka pohuar se nuk ka asnjë konflikt personal. Megjithatë, autoritetet nuk kanë arritur ende të marrin dëshminë e gruas që kishte marrë apartamentin me qira, pasi ajo është zhdukur pa lënë gjurmë.

Ndërkohë, grupi hetimor ka përqendruar kërkimet tek një person i dyshuar për të qenë shënjestër e këtij sulmi. Emri i përmendur, Benard Sinomati, sipas burimeve policore, ishte në banesë në momentin e shpërthimit. Sinomati, i cili ka qenë disa herë objekt atentatesh në qytetin e Vlorës, duket se është gjurmuar edhe në kryeqytet nga rivalët e tij. Hetuesit po e konsiderojnë përdorimin e dronit si një metodë të re dhe shumë të rrezikshme, që mund të krijojë precedentë të frikshëm për krimet e ardhshme.

Benard Sinomati është një emër i njohur për organet e rendit. Në vitin 2015, ai është arrestuar në Vlorë për armëmbajtje pa leje, ndërsa në Belgjikë ka kryer një dënim penal, duke u liruar nga burgu në vitin 2021.

Lidhur me këtë ngjarje, në qendër të vëmendjes është edhe e kaluara e tij familjare. Benard Sinomati është djali i Gëzim Sinomatit, ish-anëtar i një grupi kriminal në Vlorë gjatë viteve ’90. Familja Sinomati ka pasur një histori të përgjakshme hakmarrjesh, ku përfshihet edhe një ngjarje tragjike e vitit 2000, kur Sokol Sinomati qëlloi gabimisht një kalimtar të rastit gjatë një tentative për vrasje.

Policia po vijon hetimet për të zbardhur motivet dhe për të identifikuar autorët e shpërthimit, ndërsa zhdukja e qiramarrëses mbetet një pikë kyçe për të zgjidhur këtë rast të ndërlikuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights