Një projekt ambicioz për zhvillimin e industrisë së kinematografisë dhe prodhimeve audiovizive në Shqipëri u prezantua nga kryeministri Edi Rama dhe ministri i Ekonomisë dhe Kulturës, Blendi Gonxhe. “Tirana Training Center” pritet të shndërrohet në një qendër trajnimi dhe zhvillimi për mbi 400 studentë në fusha si aktrimi, regjia, shkrimi, animacioni dhe prodhimi, duke bashkëpunuar ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kryeministri Rama theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi, duke vlerësuar mbështetjen e ofruar nga ambasada amerikane për një projekt që përqendrohet në kreativitet dhe kulturë. “Kjo është një arritje e madhe jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për marrëdhëniet tona me Shtetet e Bashkuara, që po mbështesin jo vetëm projektet represive apo të sigurisë, por edhe ato që rigjallërojnë aspektin kulturor,” tha Rama, duke falënderuar posaçërisht ambasadën për kontributin e saj.
Ministri Blendi Gonxhe shtoi se ky projekt synon të krijojë një bazë të fortë për zhvillimin e industrive kreative në Shqipëri. “Në këtë hapësirë unike, do të trajnohen individë të të gjitha moshave në disiplinat më të rëndësishme të kinematografisë dhe artit audioviziv,” tha ai, duke nënvizuar potencialin ekonomik të këtij sektori. Ai e krahasoi ndikimin e mundshëm ekonomik të industrisë së filmit në Shqipëri me suksesin e Zelandës së Re nga filmi “Lord of the Rings,” i cili gjeneroi rreth 600 milionë dollarë në vit përmes turizmit dhe industrive të lidhura.
Sipas Gonxhes, industritë kreative janë ndër sektorët më inovativë dhe më të mirëpaguar në Europë, duke kontribuar me rreth 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të BE-së dhe krijuar mbi 8 milionë vende pune. Ky projekt, i pari i këtij lloji në Shqipëri, synon të vendosë vendin në hartën e industrive kreative ndërkombëtare, duke sjellë jo vetëm zhvillim ekonomik, por edhe një rigjallërim të identitetit kulturor kombëtar.