Partia Socialiste ka propozuar rishikimin e përbërjes dhe drejtimin e Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale. Kërkesa ka shkuar në Kuvend dhe është çështja më e nxehtë e ditës së sotme dhe vjen pasi socialistët pretendojnë bojkotimin e saj nga ana e opozitës.
Gjatë seancës parlamentar, nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, i cili është njëherazi bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale akuzoi mazhorancën se i ka vendosur ultimatum opozitës në lidhje me këtë çështje. Ai u shpreh se nuk ka pasur asnjë konsultim për të mbledhur komisionin e posaçëm, madje edhe mbledhjet e kaluara janë zhvilluar pa dakordësinë e palëve.
“Në pazar jemi këtu ne? Kjo është e turpshme dhe më e turpshme ishte ai ultimatumi në konferencën e kryetarëve. Nëse doni ta ktheni parlamentin në koloni ndëshkimore për opozitën, bëjeni”, tha Boçi.
Sipas tij, deputetët nuk mund të kërkojnë ndryshime në një komision për të cilin kanë votuar fillimisht përbërjen e tij. Ai theksoi se demokratët do të jenë në shesh, do të japin opsionin e tyre, por jo me mazhorancën.
“Pse noterët e juaj jemi ne? E bëtë copë Shqipërinë me reformën territoriale. E keni boshatisur. Kemi arsyen kryesore për të mos qenë aty me ju. Ne do jemi në shesh sigurisht, ne do japim opsionin tonë, por jo me ju. Jo me atë shumicën të imponuar nga ju. Kjo që keni bërë është turp mbi turpe”, tha Boçi.
Për t’ju përgjigjur replikave të opozitës ishte kreu i grupit parlamentar të mazhorancës, Taulant Balla. Ai tha se mbrëmjen e kaluar mesazhi i demokratëve ishte se ishin tërhequr nga bojkoti, por sot siç duket nga reagimi i Boçit kanë ndryshuar sërish vendim.
“Ju ça thoni në darkë nuk e thoni në mëngjes. Doli dje ky zotëria, pyeta edhe ChatGPT për ta kuptuar se çfarë tha. Na ndihmuan edhe gazetarët për të kuptuar se ju jeni tërhequr nga bojkoti i Komisionit të Posaçëm për Territorialen. Këtë ma shpjeguan edhe miq që ndihmojnë në komunikimin pavarësisht se këtë komunikim duhet ta kemi sy më sy. Më komunikuan mbrëmë se jeni tërhequr nga bojkoti. Të paktën këtë haber na keni sjellë dje. Shoh që jeni tërhequr nga ajo që keni vendosur dje. Këta nuk janë tërhequr nga bojkoti. Jeni aq kakofonik sa për një çështje çoheni dy veta”, tha Balla.
Balla theksoi se nëse opozita tërhiqet nga bojkoti nuk ka nevojë që të kalojë projektvendimi. Për këtë i vendosi opozitës afat darkën, kohë kur pritet të diskutohet për çështjen dhe ajo të kalojë për votim.
“Ka mundësi t’u bëj një pyetje shumë të thjeshtë, zonja dhe zotërinj tën PD-së? Ju angazhoheni që të merrni pjesë rregullisht në mbledhjet e komisionit të posaçëm, ta dimë? Këtë gjë e keni deri në darkë se deri kur të vijë votimi i çështjes 12 të rendit të ditës. Në rast se na thoni që ne do vijmë në mbledhjen e komisionit. Jo kjo historia që i thashë kryetarit, po ai bashkëkryetari nuk më la mua se erdha. Nuk bëhet mbledhja e komisionit me tetë sepse teta është gjysma e 16. Ju ka lënë Luli pa shkollë por teta e do dhe një të bëhet nëntë që të jetë një më shumë se gjysma. Ne po ju themi, nëse ju vini nuk ka nevojë ta ndryshojmë. Na e thoni deri në darkë se ju në mëngjes keni mend të tjera, në darkë mend të tjetra. Do ju presim deri në darkë që t’ju vijnë mend e mbrëmjes në darkë. Edhe kismet vendosim deri atëherë”, tha Balla.
Ndërsasss Boçi duke iu përgjigjur Ballës tha se mbledhja e komisionit të posaçëm të hënën ka qenë nul pasi nuk është bërë në konsultim.
“Qartazi ke nevojë edhe të sqarohesh. Nuk ka pasur mbledhje të vlefshme që ju të përcaktoni apo jo prezencën tonë. Mbledhja e komisionit thirret në konsultim me kryesinë e komisionit. Është alfa e funksionimit të komisionit. Nuk mund të dilni dot në konkluzion që kemi qenë ne apo jo në mbledhje komisioni. Nuk dilni dot mo. Prandaj keni nevojë për ChatGPT”, tha ai.
Sipas tij neni që i referohet projektvendimit për të ndryshuar përbërjen e komisionit të posaçëm thotë se nuk kanë të drejtë të ndryshojnë komisionet në mes të rrugës.
“Vini mend në kokë. Mos vendosni ultimatume as në konferencën e kryetarëve as në seancën plenare sepse jemi parti që vendimet tona i marrim vetë, jemi autonomë. Të gjithë këtu kemi për detyrë të zbatojmë rregulloren dhe Kushtetutën”, tha Boçi.
Siç duket për këtë çështje do të pritet momenti i kalimit për shqyrtim se çfarë do të ndodhë. Socialistët kërkojnë që komisioni i posaçëm të kalojë në 17 anëtarë (9 PS, 8 opozita) dhe një kryetar nga mazhoranca me nënkryetar nga opozita.
