Dy tërmete të fuqishme me magnituda 6.4 dhe 7.7 goditën Birmaninë (Mianmar) mëngjesin e sotëm dhe shkaktuan dëme edhe në Tajlandën fqinje apo Kinën jugore.
Në Bangkok, ndërtesa shumëkatëshe u shembën, ndërsa gjendja duket katastrofike.
Ky filmim tregon momentet tragjike kur një 30-katësh në ndërtim në Bangkok të Tajlandës shembet nga lëkundjet e tërmeteve të fuqishëm që goditën mëngjesin e kësaj të Premteje, disa vende të Azisë Juglindore.
53 punonjës ndërtimi rezultojnë të zhdukur vetëm në këtë kantier, ku dhjetëra persona mbetën të plagosur. Pasojat e tërmetit pritet të jenë shumë herë më të rënda dhe nuk përjashtohet mundësia e mijëra të vdekurve, sipas institutit gjeologjik amerikan. Epiqendra e dy lëkundjeve të fuqishme 6.4 dhe 7.7 të shkallës Rihter që ndodhën rreth orës 6 e 20 të mëngjesit ishte 16 kilometra në veri-perëndimt të qytetit të Sagain në Birmani, në një thellësi prej 10 kilometrash. Ky filmim dëshmon dëmet e shumta në qytetin Mandalay në Birmani pranë epiqendrës.
Dhjetëra mijëra qytetarë braktisën ndërtesat dhe dolën në rrugë të përfshirë nga paniku. Dëmet janë katastrofike në ndërtesa e infrastrukturë. Junta ushtarake e Birmanisë që qeveris vendin prej 2021-shit shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në disa qytete të mëdhenj dhe kërkoi ndihmë ndërkombëtare, ndërsa mediat ndëkrombëtare e kanë të vështirë të marrin informacione nga ky vend. Në shumë zona nuk mund të shkohet me automjete për ndihmë pasi janë shkatërruar rrugë e hekurudha.
Dëme pati deri në Kinën jugore. Birmania është vend që goditet vazhdimisht nga tërmetet dhe periudha më aktive ka qenë ajo mes viteve 1930-1960.