Një 50-vjeçar është arrestuar nga policia, pasi dyshohet se ka tentuar të vrasë me armë zjarri një 38-vjeçar ditën e djeshme, më 7 prill, në kryeqytet.
Ngjarja ka ndodhur në një lokal rrugën “Myslym Keta”, ku sipas policisë, dy personat janë përfshirë në një konflikt, ndërsa njëri prej tyre mbante armë zjarri.
Borxhi prej 100 eurosh shkak për sherrin
Raportohet se 38-vjeçari i ka pasur borxh një shumë prej 100 eurosh A.V-së (person me precedent penal) ndërsa ky i fundit ka deklaruar se e ka parë rastësisht në lokal dhe ka shkuar për t’i kërkuar shumën e lekëve.
Mësohet se të dy jetonin në të njëjtën zonë. I kanosuri ka deklaruar se ja njihte borxhin, por nuk donte t’ja kthente.
Si ndodhi ngjarja?
Fillimisht janë konfliktuar me fjalë banale dhe më pas 38-vjeçari e ka qëlluar me shpullë A-V-në. Ky i fundit nxjerr armën dhe e kërcënon.
Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 kanë ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës, duke vënë në pranga autorin.
“Si rezultat i veprimeve të shpejta policore të kryera në kuadër të operacionit të koduar ‘Respond’, u arrestua shtetasi A. V., 50 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas dyshohet se pasditen e djeshme, në ambientet e jashtme të një lokali, në rrugën ‘Myslym Keta’, është konfliktuar për motive të dobëta me shtetasin I. D., 38 vjeç, dhe ka tentuar ta vrasë atë, me armë zjarri pistoletë me mulli, që e mbante pa leje. “, thuhet në njoftimin e policisë.
Pas ngjarjes, 50-vjeçari është përpjekur të largohet, por është kapur në kohë nga forcat e policisë dhe është vënë në pranga. Gjatë ndërhyrjes, policia sekuestroi armën e zjarrit, një pistoletë me mulli, së bashku me municionin.
