Të paktën tre njerëz kanë humbur jetën nga një valë e nxehti përvëluese që po shkakton dhjetëra zjarre në pjesë të ndryshme të Evropës Jugore, duke detyruar mijëra banorë të largohen nga shtëpitë e tyre.
Njoftimet e alarmit për të nxehtin (të ashtuquajtura si “alarmet e kuqe”) janë lëshuar në disa rajone të Italisë, Francës, Spanjës, Portugalisë dhe Ballkanit, për shkak të rreziqeve serioze për shëndetin pasi temperaturat po kalojnë 40°C.
Në Spanjë
Shërbimi meteorologjik i Spanjës, Aemet, njoftoi se temperaturat mund të arrijnë deri në 44°C në Sevilje dhe Kordoba, ndërsa Portugalia jugore gjithashtu mund të shënojë 44°C.
BBC shkruan se në Spanjë, një punonjës i një qendre të hipizmit ndërroi jetë pas djegieve të rënda që pësoi nga zjarri në Tres Cantos, afër Madridit, ku erërat mbi 70 km/h u përhapën flakët drejt shtëpive, duke detyruar qindra njerëz të evakuohen.
Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez deklaroi të martën se shërbimet e emergjencës “po punojnë pa u ndalur për të shuar zjarret”, duke shtuar: “Jemi në rrezik ekstrem nga zjarret në pyje. Ju lutem, tregoni kujdes të madh.”
Në rajonin Castile dhe Leon në veri-perëndim të Spanjës, rreth 4 mijë persona janë evakuuar, ndërsa janë raportuar mbi 30 vatra zjarri, njëra prej të cilave kërcënon zonën Las Medulas, e mbrojtur nga UNESCO për minierat e lashta të arit.
Edhe në Andaluzinë jugore, rreth 2 mijë persona janë evakuuar nga hotelet dhe banesat afër destinacionit turistik Tarifa.
Forcat e armatosura spanjolle njoftuan se afro 1 mijë ushtarë janë angazhuar për të luftuar zjarret në mbarë vendin.
Në Portugali
Në Portugalinë fqinje, zjarrfikësit po përballen me tre zjarre të mëdha, më i rëndi pranë Trancoso. Për shuarjen e flakëve janë angazhuar mbi 1 mijë e 300 zjarrfikës dhe 14 avionë, ndërsa Maroku ka dërguar dy avionë ndihmë pas prishjes së disa avionëve portugezë. Temperaturat në jug pritet të arrijnë 44°C dhe të mos zbresin poshtë 25°C gjatë natës.
Në Itali
Në Itali ka ndërruar jetë një fëmijë nga i nxehti ditën e hënë, ndërsa temperaturat e 40°C pritet të godasin më vonë këtë javë. Alarmet e kuqe janë ngritur nga autoritetet për të paktën 10 qytete, duke përfshirë Romën, Milanon dhe Firencen. Në Sardenjë, një djalë rumun 4-vjeçar ndërroi jetë në spital për shkak të dëmtimit të trurit nga goditja e nxehtësisë, pasi ishte lënë pa ndihmë në një makinë.
Në Francë
Gati ¾ e vendit është nën alarm për të nxehtin, me temperatura deri në 40°C në Luginën e Rhonës dhe 36°C në rajonin e Parisit.
Ministrja franceze e Shëndetësisë Catherine Vautrin tha se spitalet janë në gatishmëri për pasojat e valës së dytë të nxehtësisë këtë verë.
Në Greqi
Aktualisht Greqia po përballet me mbi 150 zjarre aktive, të nxitura nga erëra të fuqishme. Janë angazhuar gati 5 mijë zjarrfikës dhe dhjetëra avionë. Po zhvillohen evakuime masive në ishullin turistik Zakynthos dhe në Achaia-n perëndimore, ku janë djegur shtëpi, makina dhe biznese.
Në Chios, autoritetet po evakuojnë pushuesit nga plazhet me anije. Janë kërkuar ndihma me avionë nga BE-ja. Autoritetet greke paralajmërojnë se situata do të përkeqësohet më tej.
Në Turqi
Në Turqi disa zjarre të mëdha janë vendosur nën kontroll, përfshirë ato në Çanakala dhe Izmir, pasi qindar njerëz u evakuuan dhe autoritetet vendosën të mbyllnin ngushticën e Dardaneleve dhe aeroportin në Çanakala.
Në Mal të Zi
Mali i Zi është përfshirë gjithashtu nga zjarret, ku një ushtar humbi jetën dhe një tjetër u plagos pasi një cisternë uji u përmbys gjatë shuarjes së zjarreve pranë Podgoricës.
Në Shqipëri
Edhe vendi ynë përmendet në këtë artikull të BBC-së, ku thuhet se zjarret detyruan evakuimin e banorëve në disa zona të hënën.
Në Kroaci
Në shtetin krotat një zjarr i madh përfshiu qytetin Split, por u vu nën kontroll të martën.
Në Mbretërinë e Bashkuar
Në Mbretërinë e Bashkuar, vala e katërt e të nxehtit këtë vit ka sjellë temperatura deri në 33°C, me alarme shëndetësore në ngjyrat portokalli dhe të verdhë që janë ngritur nga autoritetet në të gjithë Anglinë. Dy zjarre ranë në Londër të martën, në Ealing dhe Wanstead Flats, duke djegur mbi 17 hektarë tokë.
Shkencëtarët paralajmërojnë se ngrohja globale po bën që verat në Mesdhe të jenë më të nxehta, më të thata dhe me sezone zjarresh gjithnjë e më të gjata dhe më intensive.