Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti deklaroi sot se, Bashkia e Tiranës ka realizuar vetëm 20% të investimeve publike.
“Tirana është sot pasqyra më e qartë e një qeverisjeje vendore të degraduar, të kapur nga interesa të ngushta politike, ku përfaqësimi është zëvendësuar nga emërimi, dhe transparenca nga arroganca”, u shpreh ai në një deklaratë për mediet.
“Sipas të dhënave zyrtare të vetë bashkisë për 7 muajt e parë të vitit 2025, vihet re një shpërdorim flagrant i taksave të qytetarëve. 13 milionë euro më shumë janë shpenzuar për paga dhe shpenzime operative, për të mbajtur në këmbë një administratë të fryrë dhe politikisht të kapur. Kjo administratë është rritur trefish në 10 vitet e fundit, pa asnjë reflektim mbi eficiencën apo nevojën për shërbim publik më cilësor”, theksoi Teliti.
Ndërkohë, shtoi ai, “investimet publike, thelbi i çdo qeverisjeje vendore që funksionon në shërbim të komunitetit, janë neglizhuar plotësisht. Në këtë 7-mujor vetëm 35 milionë euro investime janë realizuar, që përbëjnë vetëm 20% të planifikimit për periudhën janar-korrik, duke lënë qytetarët pa infrastrukturë, pa shërbime dhe pa zhvillim”.
Teliti u shpreh se, Partia Demokratike e konsideron këtë situatë të papranueshme dhe rikujton qytetarët dhe institucionet se qeverisja pa votë është uzurpim, jo demokraci.
“Ndaj ne ritheksojmë kërkesën tonë të qartë zgjidhja e vetme për të rikthyer normalitetin dhe funksionimin demokratik në Bashkinë e Tiranës është mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme të lira dhe pa zgjedhje te lira, nuk ka zgjidhje”, përfundoi Teliti.