Teknologjia 1024x668

Një material i hollë dhe transparent ngjitet në trupin e një aeroplani në Sidnej. Shumë mendojnë se mund të jetë lëkurë e ndonjë peshkaqeni.

Por për zhvilluesit e startup-in australian MicroTau, i cili ka për mision të ulë emetimet globale nga aviacioni, aeroplanët dhe peshkaqenët kanë shumë lidhje me njëri-tjetrin.

Duke u frymëzuar nga lëkura e peshkaqenit, MicroTau ka realizuar një teknologji artificiale që imiton këtë lëkurë në formën e një materiali ngjitës që mund të vendoset në sipërfaqen e jashtme të aeroplanëve.

“Kjo është një risi që ndryshon lojën. Shumë kompani ajrore po kërkojnë mënyra për të ulur emetimet e tyre, por shumë nga zgjidhjet që ekzistojnë tani kërkojnë kohë të gjatë. Produkti ynë mund të aplikohet në aeroplanët ekzistues që kanë një vlerë prej triliona dollarësh. Kjo është ajo që e bën të veçantë nuk kemi nevojë të ndërtojmë aeroplanë të rinj, por mund ta aplikojmë në ata që tashmë janë në përdorim”, tha inxhinieri Rebecca Lodin.

E vendosur në një aeroplan, MicroTau përmirëson efikasitetin duke reduktuar turbulencën, ul emetimet nga karburanti dhe potencialisht e bën fluturimin më të lirë.

“Po, peshkaqenët kanë një sipërfaqe të ashpër, pothuajse si letër zmerile, në lëkurën e tyre që i ndihmon të notojnë në mënyrë efikase në ujë. I njëjti parim mund të aplikohet edhe në ajër, dhe kjo është një fushë që është studiuar për më shumë se 40 vjet. Tani kemi arritur në një pikë ku teknologjia e prodhimit dhe shkenca e materialeve kanë avancuar aq sa mund ta prodhojmë këtë lloj materiali në shkallë të gjerë dhe ta aplikojmë në sipërfaqen e jashtme të aeroplanit, ku është mjaftueshëm i qëndrueshëm për t’i përballuar kushtet”, shtoi Rebecca Lodin.

Dizajni përshtatet sipas llojit të aeroplanit. Material transparent me ngjitës, aplikohet në sipërfaqen e jashtme të avionit.

“Ai prodhohet me një proces shumë të ngjashëm me atë që përdoret për krijimin e çipeve kompjuterike. Ne përdorim një model drite ultravjollcë që e drejtojmë mbi një rrëshirë të veçantë, e cila më pas ngurtësohet në formën e lëkurës së peshkaqenit”, tha më tej inxhinieri.

E vendosur njësoj si një logo apo sticker standard, kjo shtresë ka treguar potencial për të përmirësuar efikasitetin deri në 4 për qind, duke reduktuar rezistencën dhe nevojën për karburant gjatë fluturimit.

Pasi ka siguruar tashmë një partneritet me Delta Airlines për dizajnimin e një produkti për aeroplanin Boeing 767, si dhe ka përfunduar një provë në shkallë të plotë në një C-130J Super Hercules me Forcat Ajrore të SHBA dhe Njësinë e Inovacionit të Mbrojtjes, MicroTau ka nënshkruar kontratën e parë në Evropë, me kompaninë ajrore spanjolle Vueling.

“Ne kemi lidhur një partneritet me linjën ajrore spanjolle Vueling, e cila po na ndihmon të certifikojmë produktin tonë për përdorim në aeroplanët e tyre. Ata do të jenë klienti ynë i parë në Evropë. Pas kësaj, do të rrisim kapacitetin e prodhimit për të siguruar shpërndarje në shkallë të gjerë. Dhe më tej, po punojmë për gjeneratën e re të produkteve, nëse tani kemi 4 % efikasitet, po punojmë për t’i çuar në 5% dhe më shumë”, përfundoi inxhineri Rebecca Lodin.

Duke parë nga e ardhmja, MicroTau synon gjithashtu të rrisë efikasitetin edhe në mjetet lundruese detare. Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, në vitin 2023 aviacioni përbënte 2.5% të emetimeve globale të CO₂, duke arritur në pothuajse 950 milionë ton CO₂, më shumë se 90% e niveleve para pandemisë.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights