Image 340

Kryeqyteti i Ukrainës, Kievi, u përball me sulme të pareshtura me dronë dhe raketa nga Rusia gjatë natës dhe mëngjesit të së shtunës, në të cilat u plagosën të paktën 15 njerëz, thanë zyrtarët ukrainas.

Shpërthime dhe të shtëna me armë u dëgjuan në të gjithë Kievin, duke i detyruar shumë njerëz të kërkojnë strehim në stacionet e metrosë.

Sulmi ndodhi vetëm disa orë pasi Rusia dhe Ukraina filluan një këmbim të madh të të burgosurve.

Këmbimi, që përfshin qindra ushtarë dhe civilë ishte i pari nga disa që do të bëhen sipas një marrëveshjeje për këmbim të ndërsjellë që ishte arritur në një takim në Stamboll javën e kaluar.

Rusia e sulmoi Ukrainën gjatë natës me 14 raketa balistike dhe 250 dronë të llojit Shahed, sipas zyrtarëve.

Zyrtarët thanë se forcat ukrainase i rrëzuan 6 raketa dhe 245 dronë gjatë këtij sulmi.

Administrata Ushtarake e Qytetit të Kievit theksoi se ky ishte një nga sulmet më të mëdha të kombinuara me raketa dhe dronë ndaj kryeqytetit ukrainas.

“Një natë e vështirë për të gjithë ne”, thuhej në komunikatën e administratës.

Sirenat ajrore në Kiev ranë pareshtur për më shumë se shtatë orë, duke paralajmëruar për sulme pasi raketa dhe dronë po afroheshin drejt kryeqytetit.

Kryetari i Kievit, Vitalii Klitschko, paralajmëroi banorët para sulmit se mbi 20 dronë rusë po i afroheshin qytetit.

Të premten mbrëma, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky njoftoi se ishin këmbyer 390 të burgosur nga secila palë dhe se shkëmbimi pritet të vazhdojë edhe të shtunën dhe të dielën.

“Po i kthejmë njerëzit tanë në shtëpi”, tha Zelensky, në një postim në Telegram.

“Pjesa e parë e marrëveshjes për këmbimin 1.000 personave për 1.000 persona, është zbatuar”, tregoi ai.

Këmbimi i 1.000 të burgosurve nga secila palë do të përbënte këmbimin më të madhin të të burgosurve që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia.

Këmbimet e mëparshme nuk kanë sjellë përparim të dukshëm drejt përfundimit të luftës, e cila nisi në shkurt 2022.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights