Rritja ekonomike globale po ngadalësohet më shumë sesa pritej, ndërsa pasojat e luftës tregtare të administratës Trump po ndikojnë më shumë në ekonominë amerikane.
Në një raport të fundit nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), ekonomia globale parashikohet të ngadalësohet nga 3.3 % që ishte në vitin e kaluar në 2.9 % në vitet 2025 dhe 2026.
“Tarifat e Shteteve të Bashkuara ndaj partnerëve të saj tregtarë janë rritur ndjeshëm. Pasiguria e politikave tregtare eshte rritur në nivele të papara. Treguesit afatshkurtër tregojnë një dobësim të aktivitetit ekonomik, rënie të besimit të konsumatorit, pasiguri ndaj politikave ekonomike që gjithashtu po dëmton besimin e biznesit”, tha Mathias Corman, Sekretari i Përgjitshëm i OECD.
Njoftimet e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për tarifat që kur ai mori detyrën në janar, kanë tronditur tregjet financiare duke e detyruar atë të tërhiqet nga disa prej qëndrimeve fillestare. Për vitin 2025, parashikimi i ri shënoi një ulje të konsiderueshme për ekonominë amerikane, pasi organizata më parë kishte pritur që ajo të rritej me 2.2% këtë vit dhe 1.6% vitin e ardhshëm.
Ndërkohë që tarifat e reja mund të krijojnë stimuj për të prodhuar në Shtetet e Bashkuara. Çmimet më të larta të importit do të ndikojnë negativisht në fuqinë blerëse dhe pasiguria e politikave ekonomike do të pengonte investimet e korporatave, paralajmëron Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim.
Në Kinë, pasojat nga rritja e tarifave të SHBA-së do të kompensohen pjesërisht nga subvencionet qeveritare. Raporti vlerëson se ekonomia e dytë më e madhe në botë, e cila nuk është anëtare e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, do të rritet me 4.7% këtë vit dhe 4.3% në vitin 2026, pak ndryshim nga parashikimet e mëparshme për 4.8% në vitin 2025 dhe 4.4% në vitin 2026. Perspektiva e rritjes për zonën e euros mbetet e pandryshuar nga marsi, me parashikimin e rritjes për këtë vit në 1.0% dhe 1.2% vitin e ardhshëm, e nxitur nga uljet e normave të interesit.