Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump u rikthye triumfalisht në Uashington të mërkurën, duke u zotuar për një tranzicion të rregullt të pushtetit në janar, ndërsa u takua për dy orë në Shtëpinë e Bardhë me rivalin e tij politik për një kohë të gjatë, Presidentin Joe Biden.
“Ishte një takim me përmbajtje”, u tha gazetarëve zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre. “Ata diskutuan çështje të rëndësishme të sigurisë kombëtare dhe politikës së brendshme me të cilat përballet vendi dhe bota”.
Presidenti Biden e ftoi zotin Trump për vizitën tradicionale, një dëshmi për transferimin paqësor të pushtetit në demokracinë amerikane mes Presidentit në detyrë dhe udhëheqësit të ri.
Kjo ishte vizita e parë e zotit Trump në Shtëpinë e Bardhë që nga mbarimi i mandatit të tij të parë presidencial në janar të 2021. Zoti Biden dhe zoti Trump u ulën para oxhakut në Zyrën Ovale përpara se të nisnin bisedën private.
“Faleminderit shumë”, tha zoti Trump. “Politika është e vështirë dhe shpesh bota nuk është shumë e bukur, por sot është një botë e bukur dhe unë e vlerësoj shumë një tranzicion të qetë. Do të jetë shumë i rregullt dhe e vlerësoj shumë një gjë të tillë Joe”, tha zoti Trump, i cili merr detyrën më 20 janar.
Gazetarët u përpoqën të bëjnë pyetje, por u nxorën me shpejtësi nga salla, përpara se zoti Biden dhe zoti Trump të vazhdonin takimin pa praninë e tyre.
Takimi ishte në një kontrast të thellë me marrëdhënien e tensionuar që kanë pasur ndër vite dy udhëheqësit.
Ekipet e tyre kanë qëndrime shumë të ndryshme mbi politikat, nga çështjet që lidhen me ndryshimin e klimës, tek ato që lidhen me Rusinë deri tek tregtia.
Zoti Biden, 81 vjeç, e ka portretizuar zotin Trump si kërcënim për demokracinë, ndërsa zoti Trump, 78 vjeç, e ka portretizuar zotin Biden si të paaftë.
Presidenti i zgjedhur Trump ka bërë pohime të pa bazuara në fakte për manipulim të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.
Pritja e presidentit të ardhshëm të vendit në Zyrën Ovale nga presidenti aktual, është në traditën politike të Shteteve të Bashkuara, por zoti Trump e anashkaloi këtë traditë në vitin 2020, kur ai humbi garën për t’u rizgjedhur.