Pas përfundimit të mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së Deputetja
Jorida Tabaku ndau detaje nga diskutimet
mes demokratëve. Gjatë fjalës së saj para mediave, Tabaku tha se do të duhet
ende kohë për të analizuar situatën dhe për të dalë nga kjo krizë.
Sipas Tabakut rezultati i 14 majit ishte humbja më e madhe e
PD në këto vite, ndërsa shtoi se demokratët nuk duhet të kthehen te gabimet e
së shkuarës.
“Pati diskutime për seancën e nesërme. Ne nuk mund të sillemi
sikur nuk ka ndodhur asgjë. Diskutimet lidheshin dhe për situatën që po ndodh
në PD. Kemi vendime për të marrë, opozita shqiptare në 14 maj ka pësuar humbje
të madhe, nga më të mëdhatë. Kemi nevojë që të kuptojmë se çfarë ka ndodhur.
Kemi nevoje për të nisur një tur dëgjesash, reflektimi për të kuptuar se si
mund të ringrihemi. Unë jam duke u konsultuar me anëtarët. E rëndësishme është
që mos të përsëriten gabimet e së shkuarës, pa u nxituar. U detyrohemi këtë
demokratëve edhe shqiptarëve.”, tha Tabaku.