Tabaku 1 619x450

Një ditë pas miratimit të buxhetit në parim, Komisioni i Ekonomisë dhe Financave zhvilloi një seancë ku u debatua mbi propozimin e kryeministrit për krijimin e një fondi special për pensionet. Propozim që u përball me kritika të forta nga deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e cila e cilësoi këtë skemë si një lëvizje elektorale dhe momentale, pa një plan të qëndrueshëm për të adresuar sfidat reale të skemës së pensioneve.

Tabaku ngriti shqetësimin për rritjen kumulative të çmimeve, duke theksuar se “nga viti 2013 e deri më tani, çmimet kumulative janë rritur me 55%, duke e bërë Shqipërinë vendin me inflacionin më të lartë në Europë.” Ajo vuri në dukje se ndërkohë që çmimet rriten, fuqia blerëse e shqiptarëve, sidomos pensionistëve, është ndër më të ulëtat në kontinent.

“Pensionistët shpenzojnë 50% të të ardhurave të tyre për ushqimet bazike dhe pjesën tjetër për energjinë, ujin dhe ilaçet, të cilat shpesh nuk janë të rimbursueshme. Kjo situatë po i shtyn ata drejt varfërisë ekstreme”, tha Tabaku.

Duke ironizuar premtimet e qeverisë, Tabaku tha: “Kryeministri premtoi një rritje 5% të pensioneve, por kjo nuk ndodhi. Ndërkohë që ai flet për inteligjencën artificiale, pensionistët përballen me një krizë konsumi gjithnjë e më serioze”.

 

Tabaku akuzoi qeverinë si promotoren kryesore të informalitetit, duke theksuar se rritja e pagës minimale ka qenë një barrë për punëdhënësit dhe nuk ka sjellë përmirësime reale në skemën e pensioneve. Ajo kritikoi gjithashtu mungesën e një strategjie të qartë në luftën kundër informalitetit, duke theksuar se aksionet momentale nuk adresojnë problemin në thelb.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights