Policia e Peqinit ka finalizuar një operacion disa javor të koduar “Syri i natës”, duke goditur veprimtari kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike dhe armëmbajtjes pa leje.
Si rezultat i operacionit u asgjësuan 112 bimë narkotike, të mbjella në zonën e quajtur “Zabeli i Akaciave” në fshatin Karinë.
Njëkohësisht u sekuestruan 3 armë zjarri (një kallashnikov dhe dy pistoleta), municion luftarak, një armë gjahu, kapsolla detonatore, thika dhe një targë automjeti.
Në kuadër të aksionit, policia arrestoi në flagrancë:
Q. K., 67 vjeç dhe Q. K., 24 vjeç (babë e bir), banues në fshatin Karinë;
E. J., 37 vjeç, banues në Peqin;
A. H., 31 vjeç dhe A. H., 59 vjeç (babë e bir), banues në fshatin Garunjë e Vogël.
Gjithashtu, nisi procedimi penal ndaj shtetasit E. K., 32 vjeç, ndërsa në kërkim është shpallur A. J.
Sipas policisë, vijon puna për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal, si dhe për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë.
