Ka degraduar në përdorimin e dhunës seanca e sotme plenare në Kuvendin e Kosovës. Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë sulmuar fizikisht kryeministrin Albin Kurti dhe pjesëtarë tjerë të qeverisë.
Gjithçka nisi dhe ndodhi teksa në foltore kishte marrë fjalën kryeministri Kurti, i cili po jepte sqarime për pyetjen nëse ishte ende person në kërkim Milan Radojiçiç, nënkryetari i Listës Serbe, emri të cilit përmendet në komunikimet e përgjuara të kryetares se grupit parlamentar të Vetëvendosjes Mimoza Kusari Lila me kreun e Listës Serbe, Slavko Simiç. Ndërkohë që Radojiçiç është person në listën e zezë të ShBA-së e Britanisë, Kurti tha se ai ishte hequr nga lista e personave në kërkim nga qeveria paraardhëse e Kosovës.
Për këto deklarata të Kurtit grupi parlamentar i PDK filloi t’iu binte tavolinave ne shenje proteste, ndërsa zv.kryeministri Besnik Bislimi grisi një fotografi të Kurtit të paraqitur si “Pinoku”, të cilën deputetja e opozitës, Ganimete Musliu, e kishte vendosur para foltores. Ky veprim provokoi opozitën e cila u ngrit në këmbë. Deputeti i PDK-se Mergim Lushtaku la vendin e vet dhe hodhi në drejtim të Kurtit ujë nga një shishe. Ministrat e Vetëvendosjes reaguan menjëherë dhe kanë rrethuar me trup kryeministrin për ta mbrojtur duke u përplasur dhunshëm me deputetët e opozitës.
Përleshja fizike zgjati disa minuta. E teksa Kurti u sulmua dhe u shty nga turma, qëndroi gjakftohte dhe u tërhoq në një moment nga punonjësit e gardës. Garda ndërhyri të ndalte përplasjen mes ligjvënësve dhe ministrave me kërkesë të kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca. Pas përleshjes, kryetari i Kuvendit Konjufca kërkoi 30 minuta pushim.
Opozita ditëve të fundit, sikurse edhe në këtë seancë, ka qenë kritikuese ndaj pushtetit pasi në mediat në Kosovë kanë dalë përgjime të shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ku ajo ka pranuar që ka zhvilluar një bisedë me nënkryetarin e Listes Serbe, Milan Radoiçiq.
https://www.facebook.com/blueledED/