Një seri sulmesh me dron goditën Kazanin, kryeqytetin e republikës Tatarstan të Rusisë. Dronët goditën ndërtesat e larta të banimit, ndërsa autoritetet detyruan aeroportin të pezullonte përkohësisht fluturimet. Ministria e Mbrojtjes ruse tha se sulmet ndodhën midis orës 7:40 dhe 9:20 të mëngjesit, sipas kohës lokale, ku tetë dronë u shfaqën mbi qiellin rus.
Autoritetet ruse akuzuan Ukrainën për ofensivën. Pamjet në rrjetet sociale tregojnë disa raste ku dronët godasin ndërtesa shumëkatëshe dhe shpërthejnë në flake. Shërbimi Tatar-Bashkir i Radios Evropa e Lirë raportoi se në shumë shkolla nxënësit u evakuuan teksa sirenat e alarmit kumbonin në të gjithë qytetin. Ende kuk ka një njoftim për numrin e saktë të viktimave.
Ukraina kryesisht ka pasur në qendër të sulmeve zonat ushtarake dhe ato industriale dhe jo ato ytë banuara. Ndërkohë një ditë më parë Kievi u sulmua nga Rusia. Nga bombardimet u dëmtuan dhe disa ambasada, mes të cilave ajo e Shqipërisë. Presidenti Zelensky kërkoi reagim për ofensivën, duke kërkuar më shumë sanksione nga perëndimi për Rusinë.