Screenshot 4 1 696x467

Ambasadori i Suedisë në Shqipëri, Niklas Ström, deklaroi sot se, Shqipëria ka arritur një moment të rëndësishëm në procesin e reformimit të taksës së pronës, duke ngritur një bazë të fortë për funksionimin e një sistemi modern, të drejtë dhe të qëndrueshëm.

Në fjalën e tij gjatë lançimit të reformës së taksës së pasurisë së paluajtshme, ai theksoi se Suedia është krenare që ka shoqëruar Shqipërinë në këtë udhëtim transformues që prej vitit 2015.

Ström nënvizoi se arritja e vetëqeverisjes vendore dhe autonomisë fiskale është një kërkesë e qartë nga Bashkimi Europian, ndërsa reforma e taksës së pronës e bazuar në vlerën e tregut është një hap thelbësor për të garantuar të ardhura të qëndrueshme për njësitë e qeverisjes vendore.

“BE dhe partnerët ndërkombëtarë, si Banka Botërore dhe FMN, na kanë këshilluar se një implementim i duhur i sistemit të taksës së pronës me vlerën e tregut është baza për të ardhura të qëndrueshme dhe për autonomi të vërtetë fiskale”, u shpreh ambasadori.

Ai theksoi se objektivi kryesor nuk është vetëm rritja e të ardhurave, por ndërtimi i një takse të drejtë, transparente dhe të zbatueshme në mënyrë të qëndrueshme.

Sipas tij, këto cilësi e bëjnë taksën legjitime në sytë e publikut dhe rrisin besimin e qytetarëve te institucionet, duke e çuar Shqipërinë më pranë standardeve të BE-së.

Ström vuri në dukje se reforma ka sjellë ndryshime të thella në platformat teknologjike, rolet institucionale, mënyrën e punës së administratës dhe në ngritjen e kapaciteteve njerëzore.

Ai përmendi se progresi i Shqipërisë është ndikuar nga tërmeti, pandemia dhe luhatjet globale ekonomike, por pavarësisht këtyre sfidave, partneriteti me vendet mbështetëse ka arritur t’i tejkalojë vështirësitë.

“Të gjitha ndryshimet e ndërmarra kanë sjellë krijimin e reformës së taksës së pasurisë. Sot, Shqipëria ka një bazë të fortë për një sistem modern të taksës së pronës: rregullat e duhura janë hartuar, kadastra fiskale është pothuajse e plotësuar, sistemi IT është përshtatur sipas kornizës ligjore dhe Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pronës është përgatitur të mbështesë të gjitha njësitë në nivel kombëtar”, deklaroi ai.

Lançimi i reformës së taksës dhe pasurisë së paluajtshme në Shqipëri është një nismë e rëndësishme, që po krijon një sistem modern të taksës së pronës në vendin tonë, i cili do të bazohet në vlerën e tregut të pasurive të paluajtshme, dhe do të forcojë rolin e bashkive në mbledhjen e kësaj takse të rëndësishme, reformë që e sjell Shqipërinë më afër Bashkimit Europian.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights