Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, reagoi sot pas sulmit të fundit të Rusisë me raketë balistike me rreze të mesme mbi rajonin e Lvivit në Ukrainë, pranë kufirit me Poloninë.
Spiropali shkruan në rrjetin social X se, “Shqipëria dënon fuqishëm përdorimin nga Rusia të një rakete balistike me rreze të mesme kundër rajonit të Lvivit në Ukrainë.”
“Një sulm kaq pranë kufijve të BE dhe NATO-s përbën përshkallëzim serioz dhe kërcënon sigurinë evropiane dhe transatlantike. Narrativat e trilluara të Rusisë zbulojnë natyrën agresive të veprimeve të saj”, theksoi ministrja e Jashtme.
Spiropali bëri thirrje për masa të forta ndërkombëtare dhe presion më të madh ndaj Moskës, teksa shtoi se, “Shqipëria mbetet e palëkundur në mbështetje të Ukrainës”.
Rusia ka përdorur raketën e saj me rreze të mesme veprimi dhe me kapacitet bërthamor ”Oreshnik” në një sulm ndaj Ukrainës perëndimore, raportoi sot agjencia e lajmeve TASS, duke cituar Ministrinë ruse të Mbrojtjes. Ky është sulmi i dytë ndaj Ukrainës ku përfshihet kjo armë.
