6755019a aa62 40a2 88c2 28d5a1cfe4cc 696x464

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, e nisi vizitën zyrtare në Kosovë nga Prekazi, në Kompleksi Memorial “Adem Jashari”.

Spiropali, së bashku me Zëvendëskryeministrin e Parë dhe Ministrin për Punët e Jashtme dhe Diasporën të Kosovës, Glauk Konjufca, kryen homazhe në kompleksin memorial, aty ku sakrifica e familjes Jashari u kthye në themel të shtetit të Kosovës.

Më pas, dy ministrat u pritën në Kullën e Jasharajve nga Bacë Rifat Jashari. Sipas Spiropalit, kjo kullë është dëshmi se liria ka pasur çmim dhe se ai është paguar me jetë.

“Në Prekaz ndjen peshën e historisë, por edhe përgjegjësinë për të ardhmen. Liria nuk është trashëgimi automatike, ajo kërkon dinjitet, unitet dhe drejtësi çdo ditë. Prekazi nuk na kërkon lot, por të jemi të denjë”, shkroi Spiropali në një postim në rrjetet sociale.

“Në Prekaz nuk përkujtohet vetëm një betejë. Përkujtohet vendimi për të mos u dorëzuar”, shkruan Spiropali.

Ministrja po zhvillon një vizitë zyrtare në Kosovë, ku pritet të takohet me drejtuesit më të lartë të shtetit. Pas takimit me Konjufcën, Spiropali pritet të zhvillojë takime me Kryeministrin Albin Kurti dhe Presidenten Vjosa Osmani.

Ajo do të takohet gjithashtu me përfaqësues të Kuvendit dhe drejtues të partive kryesore parlamentare.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights