Kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit Arben Shehu ka folur sot nga foltorja e Kuvendit, në 100-vjetorin e institucionit që drejton. “KLSH do qëndrojë besnik ndaj misionit kushtetues, në thelb me interesin e çdo shqiptari. Me përkushtim, parimin e shtetit të së drejtës dhe mirëqeverisjes”, u shpreh ai.
Pas fjalës së tij, kryeparlamentarja Elisa Spiropali theksoi mbështetjen e plotë të Kuvendit ndaj këtij institucioni.
“Sot KLSH mbush një shekull jetë. Menjëherë pas themelimit, shteti i pavarur shqiptar bëri përpjekje për institucionin që do merrej me kontrollin e financave të tij. Qeveritë e para nuk ia dolën ta ndërtonin me formatin e një institucioni kushtetues. Vetëm në Republikën e vitit 1925, Këshilli i Financave u krijua. Në sistemin demokratik, u bë organi më i lartë i kontrollit ekonomik. Kuvendi do vazhdojë të mbështesë KLSH-në si institucion kushtetues, një partner për zhvillimin dhe rritjen ekonomike, për mbështetjen e sundimit të ligjit dhe për të përshpejtuar ritmet e integrimit në BE”, deklaroi Spiropali.
Ajo bëri me dije se në funksion të një bashkëpunimi më të ngushtë mes Kuvendit e KLSH-së, do të krijohet një drejtori e posaçme, shtuar këtu edhe platformën ndërinstitucionale online.
“Partneriteti ynë do të fuqizohet nëpërmjet një drejtorie të posaçme të dedikuar për komunikim me Kuvendin dhe nënkomisionin, në mënyrë që shkëmbimi i informacionit, trajtimi i raporteve dhe ndjekia e rekomandimeve të bëhen në mënyrën më efikase e të strukturuar. Ky është një zhvillim që duhet përshëndetur pasi po rrit fuqinë e bashkëpunimit ndërinstitucional, forcon kontrollin demokratik mbi administratën publike dhe përmirëson kulturën e llogaridhënies në të gjitha nivelet e qeverisjes, në funksion të institucioneve më të forta, transparente e më të përgjegjshme ndaj qytetarëve”, theksoi Spiropali.