Pak ditë pasi iu komunikua akuza për korrupsion në zgjedhje, SPAK ka mbyllur hetimet për kryebashkiakun e PS-së në Vaun e Dejës, Kristian Shkreli dhe ka bërë kërkesë në GJKKO për kalimin e dosjes për gjykim.
Kërkesa për kalimin apo jo në proces gjyqësor do shqyrtohet nga gjyqtarja Flora Hajredinaj.
Shkreli u mor zyrtarisht i pandehur nga Prokuroria e Posaçme më 3 tetor me akuzën se bleu vota për Partinë Socialdemokrate të Tom Doshit në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Atij iu komunikua akuza “korrupsion në zgjedhje”.
Bashkë me Shkrelin, edhe 3 persona të tjerë janë të dyshuar.
Në maj, atij iu sekuestrua celulari me vendim të GJKKO-së, ndërsa iu ushtrua edhe kontroll.
Në kuadër të hetimit, SPAK ka sekuestruar edhe celularët e eksponentëve të tjerë të PSD-së që dyshohet se janë përfshirë në veprimtarinë kriminale të shitblerjes së votës në qarkun e Shkodrës.
Kryebashkiaku socialist ishte në shënjestër të kritikave të Kryeministrit Rama, i cili një javë para votimeve iu drejtua me fjalët: “Kristian, mos luaj më dy porta Kristian”.
