Pasi GJK rrëzoi mbrëmjen e djeshme kërkesën e kryeministrit Edi Rama për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut si zëvendës kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, “topi” tashmë kalon në Kuvendin e Shqipërisë, ku beteja do të zhvillohet në këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve.
Deri tani Këshilli i Mandateve ka zhvilluar vetëm një mbledhje, 3 ditë pas dorëzimit të kërkesës nga SPAK, pra më 19 dhjetor, ku pas 5 orësh mbledhje nuk u mor asnjë vendim, vetëm u shty mbledhja e radhës.
Në mbledhjen e radhës do të jetë e ftuar të marrë pjesë edhe Balluku dhe avokati i saj, por Balluku mund të zgjedhë të mos marrë pjesë personalisht.
Pas mbledhjes së Këshillit, janë në dispozicion 2 javë kohë që Këshilli të prezantojë raportin që do të votohet në lidhje me heqjen ose jo të imunitetit të Ballukut.
Mbetet për t’u parë nëse rasti “Balluku” do të jetë i ngjashëm me çështjen “Xhaçka”, ku Kuvendi duhet të çonte mandatin e saj në GJK, por në seancën parlamentare mazhoranca socialiste abstenoi.
