Spak myzyraj

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim gjashtë të pandehur të përfshirë në një sërë veprash penale që lidhen me korrupsionin, ndikimin e paligjshëm ndaj zyrtarëve publikë dhe shpërdorimin e detyrës.

Sipas njoftimit për mediat, Procedimi penal nr. 36/3 i vitit 2025 është ndarë nga një hetim më i gjerë i nisur në vitin 2019, i cili po zhvillohet në kuadër të një Skuadre të Përbashkët Hetimore me autoritetet italiane, për çështje që përfshijnë edhe trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Gjatë këtij procesi, SPAK ka evidentuar disa episode të qarta të përfshirjes së të pandehurve në veprimtari të paligjshme që prekin integritetin e funksioneve publike.

Në qendër të hetimeve qëndron L.M., me profesion avokat, i cili dyshohet se ka ushtruar ndikim të paligjshëm në katër raste ndaj funksionarëve publikë, si dhe në një rast ka ofruar korrupsion aktiv ndaj një dëshmitari, eksperti ose përkthyesi.

Veprimtaria e tij e dyshuar është zhvilluar përmes komunikimeve të enkriptuara në aplikacionin SkyECC, në funksion të mbrojtjes së klientëve të tij.

“Konkretisht i pandehuri A.T, me profesion avokat, duke përdorur aplikacionin SkyECC ka komunikuar dhe ndërmarrë veprime për personat në mbrojtjen e tij, duke ushtruar ndikim të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë. Ai, ka konsumuar elementet e veprës penale ’Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funkisone publike’, (kryer në 4 episode), parashikuar nga nenet 245/1, paragrafi 4 i Kodit Penal, si dhe në një episod ka konsumuar veprën penale të ‘Korrupsioni aktiv i dëshmitarit, i ekspertit ose përkthyesit’ parashikuar nga neni 312 i Kodit Penal.”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Ndërkohë, në një tjetër episod, i pandehuri tjetër E.C., i cili ndodhej jashtë kushteve të lejuara për të udhëtuar në hapësirën Shengen, ka arritur të kalojë kufirin nëpërmjet ndërhyrjes së E.D., S.Sh. dhe B.M., të cilët dyshohet se kanë ndërmjetësuar dhe kërkuar 3 mijë euro për të ndikuar tek një punonjës i policisë kufitare. Kalimi i paligjshëm është realizuar falë ndihmës së ofruar nga N.B., punonjës policie në Pikën Kufitare të Portit të Durrësit, i cili akuzohet për shpërdorim detyre.

Të pandehurit:

-A.T, me profesion avokat, i akuzuar kryerjen e veprave penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funkisone publike”, (kryer në 4 episode), parashikuar nga nenet 245/1, paragrafi 4 i Kodit Penal dhe “Korrupsioni aktiv i dëshmitarit, i ekspertit ose përkthyesit”, parashikuar nga neni 312 i Kodit Penal.

-E.C (Gj), i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 245/1, paragrafi 4 e 25 i Kodit Penal.

-S.Sh, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 245/1, paragrafi 4 e 25 i Kodit Penal.

-E.D, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 245/1, paragrafi 4 e 25 i Kodit Penal.

-B.M, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 245/1, paragrafi 4 e 25 i Kodit Penal.

-N.B, me detyrë punonjësi i policisë kufitare të pikës së kalimit kufitar të Portit Durrës,  i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorim i detyrës”, i parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

SPAK konfirmon se hetimet vazhdojnë edhe për persona të tjerë, të dyshuar për përfshirje në skema të ngjashme ndikimi dhe korrupsioni, që minojnë besimin në institucionet publike dhe funksionimin e ligjit.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights