Spak 770x434

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar për ekspertim audio-regjistrimin e komunikimeve të Gardës së Republikës gjatë protestës së 21 Janarit 2011. Ky regjistrim është depozituar nga gazetari Artan Hoxha dhe do të shqyrtohet nga laboratori i SPAK për të verifikuar vërtetësinë e tij. Në përputhje me rezultatet e ekspertimit, SPAK mund të kërkojë krahasimin e mostrave të zërit me punonjësit e Gardës që ishin në shërbim gjatë protestës, në mënyrë që të identifikohet se cili prej tyre ka dhënë urdhrin për të hapur zjarr ndaj protestuesve. Përveç kësaj, do të shqyrtohet nëse regjistrimi prej 36 minutash përmban edhe zëra të personave të tjerë. Sipas burimeve nga SPAK, nëse ekspertët nuk arrijnë të sigurojnë të dhëna të mjaftueshme për identifikim, regjistrimi mund të dërgohet jashtë vendit për analiza të mëtejshme. Pas rihapjes së çështjes, SPAK ka kërkuar marrjen e të gjitha provave dhe dokumenteve hetimore të grumbulluara gjatë viteve. Po ashtu, ka nisur procesin e marrjes në pyetje të individëve që dyshohet se kanë dijeni për ngjarjet e protestës. Ndër ta janë ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgajsi, dhe ish-zëvendësdirektori, Agron Kulicaj. Pas marrjes në pyetje nga SPAK, të dy ata deklaruan për mediat se kanë vepruar në përputhje me ligjin dhe se, pavarësisht se punonjësit e policisë u përballën me dhunë, ata nuk reaguan. Gjatë protestës, katër persona humbën jetën dhe disa të tjerë u plagosën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights