Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka çuar për gjykim katër persona, lidhur me një ngjarje të ndodhur në 9 janar 2020, në Peshkopi.
Asokohe, rreth orës 13:15, Adrian Shahi goditi disa herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit, bashkëfshatarin e tij, Bukurosh Zagradi.
Për ngjarjen e rëndë, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshem, Dibër ka regjistruar procedimin penal për “vrasje me dashje, të mbetur në tentativë”.
Mirëpo, dy oficerë të policisë gjyqësore pranë Gjykatë së Shkallës së Parë në Dibër, Shuip Cami dhe Aldo Puca, kanë favorizuar autorin e kësaj plagosjeje të rëndë.
Siç thuhet në njoftimin zyrtar të SPAK, Shuip Cami, i cili është oficeri që ka kryer veprimet e para për referimin e çështjes në Prokurori, i ka marrë autorit (që njihet ndryshe si Flamur Kurti), 3 mijë euro në këmbim të premtimit për ta favorizuar, për çështjen penale në ngarkim të tij.
Një tjetër person nën hetim është edhe Fluturim Bajrami, i cili i ka dhënë një specialisti të policisë në Dibër, plot 2 mijë euro në mënyrë që autori të pajtohej me Bukurosh Zagradin.
Ndërkohë, Aldo Puca, që po ashtu është oficer i policisë gjyqësore, ka qenë në dijeni të këtyre veprimeve korruptive, por nuk i ka referuar ato në Prokurorinë kompetente.
SPAK thotë se Adrian Shahi i është shmangur drejtësisë për më shumë se një vit në arrati.