Kosova shënon sot një vit nga sulmi në Banjskë të Zveçanit, ku rreshteri Afrim Bunjaku humbi jetën si pasojë e një sulmi nga një grup të armatosur serb. Në nderim të tij, kryeministri Albin Kurti, zyrtarë të lartë dhe ambasadorë zhvilluan homazhe, duke kërkuar ndëshkimin e Serbisë si organizatore të këtij akti.
Kryeministri Kurti vizitoi familjarët e heroit dhe, së bashku me kryeparlamentarin Glauk Konjufca, kryen homazhe te varri i tij.
Kurti theksoi se Serbia është përgjegjëse për ngjarjet e 24 shtatorit 2023 dhe se faktorët ndërkombëtarë duhet të detyrojnë Beogradin të japë llogari. “Sacrifica e rreshterit Bunjaku ka qenë thelbësore për policinë, shtetin dhe brezat e ardhshëm. Ai nuk ra vetëm; shumë kolegë të tij treguan guxim për të siguruar që trupi i tij të mos bie në duar të armikut,” tha Kurti.
Kryeparlamentari Konjufca shtoi se Bunjaku ra heroikisht për mbrojtjen e sovranitetit, duke lënë një shembull të vyer për policinë e Kosovës.
Presidentja Vjosa Osmani e përshkroi rreshterin Bunjaku si dëshmor, duke theksuar se liria nuk ka çmim. “Sot, një vit pas rënies së tij, ne përkujtojmë se kjo tokë është atdheu ynë i përjetshëm,” shkruajti ajo në rrjetet sociale.
Përveç zyrtarëve të lartë, homazhe zhvilluan gjithashtu anëtarë të Policisë dhe qytetarë të shumtë. Ambasadorë të huaj, përfshirë atë amerikan, Jeff Hovenier, vendosën kurora lulesh te varri i heroit.
Bashkimi Evropian tha se pret nga Serbia të ndërmarrë hapa të nevojshëm për t’u siguruar që të dyshuarit për kryerjen e sulmit vdekjeprurës kundër Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë, të japin llogari.
Më 24 shtator të vitit të kaluar, një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, duke e vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë.