Një ditë pas reshjeve të para të dëborës për tetorin, këtë të premte, më datë 3, duket se është përmirësuar situata në disa qarqe të vendit, si në Shkodër, Lezhë dhe Durrës. Mërpo në Dibër ka probleme për fermerët dhe blegtorët.
Situata në Shkodër
Të paktën kështu ka njoftuar prefekti i qarkut Shkodër. Kështu, furnizimi me energji elektrike është normal në të gjithë territorin e qarkut. Të gjitha rrugët janë të kalueshme, pa pengesa apo ndërprerje të qarkullimit.
Gjendja konsiderohet e qetë dhe nën kontroll, ndërkohë që strukturat e Emergjencave Civile dhe njësitë vendore vijojnë monitorimin në terren për të reaguar në kohë ndaj çdo situate të mundshme.
Përmirësohet situata edhe në Lezhë
Ndërkohë në Lezhë dhe në Mirditë është përmirësuar gjithashtu situata. Reshjet e shiut dhe erërat e forta patën shkaktuar dëmtime të linjave elektrike dhe të disa pemëve ditën e djeshme, pa patur pasoja në njerëz.
Sot përmisohet situata dhe rikthim të energjisë elektrike në disa zona.
Porti i Durrësit pritet t’i rikthehet normalitetit
Ndërkohë edhe në Durrës është përmirësuar situata, por pavarësisht kësaj anijet dhe tragetet nuk do t’i rikthehen lundrimit.
Përgjatë ditës së sotme nuk ka patur lundrime të trageteve Durrës-Bari, apo anasjelltas. Të vetmet linja funksionale kanë qenë linja Durrës-Ankona dhe anasjelltas. “Mbetet për t’u parë nëse ditën e sotme do t’i rikthehen normalitetit apo jo trageteve.”, tha Arapi.
Ajo shtoi se: Moti mbetet i paqëndrueshëm sa i takon erës në qytet, por edhe në det ku ka patur stuhi detare. Për këtë arsye nga ana e kapinererisë është njoftuar që të bëhet kujdes nga anijet dhe ekuipazhet.
Edhe për dy ditët e ardhshme peshkarexhat nuk do të dalin në lundrim për shkak të motit të paqëndrueshëm.
Probleme në Dibër për fermerët dhe blegtorët
Ndërsa jemi ende në ditët e para të tetorit, reshjet e borës kanë përfshirë një pjesë të madhe të territorit të Bashkisë Dibër, duke sjellë vështirësi për banorët, fermerët dhe blegtorët e zonës. Gjatë natës, bora ka zbritur deri në kuotën e 700 metrave mbi nivelin e detit, duke u afruar ndjeshëm me qytetin e Peshkopisë.
Në zonat malore si Lura, Selishta dhe Kalaja e Dodës, trashësia e borës ka kaluar 20 centimetra, ndërsa temperaturat kanë rënë ndjeshëm, duke arritur në -5°C në Lurë dhe 1°C në qytetin e Peshkopisë.
Autoritetet vendore nuk kanë raportuar bllokime të rrugëve në akset kryesore dhe lëvizja e mjeteve është e mundur. Megjithatë, temperaturat e ulëta dhe reshjet e dendura të borës kanë krijuar vështirësi të mëdha për komunitetin.
Shumë fermerë nuk kanë përfunduar ende mbledhjen e prodhimeve bujqësore, çka rrezikon humbjen e një pjese të madhe të tyre. Ndërkohë, blegtorët, të cilët ndodhen ende në stanet malore të verimit, janë zënë të papërgatitur nga bora e parakohshme dhe po përballen me vështirësi për të zbritur bagëtitë në zonat më të ulëta.