Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, ka urdhëruar pezullimin e ushtrimit të aktiviteteve të inspektimeve pa planifikim paraprak dhe atyre të pamiratuara nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. Vendimi, sipas saj erdhi për të unifikuar dhe zbatuar një praktikë “në frymë të ligjit për inspektimet si dhe garantimit të transparencës dhe standardeve sipas kërkesave ligjore”
Po ashtu është vendosur edhe ngritja e një komisioni të posaçëm me pesë anëtarë që do të vlerësojë inspektorët e AKU-së. Ajo do të përbëhet nga pesë anëtarë në total, ku tre do të jenë nga Universiteti Bujqësor i Tiranës.
Ata do të vlerësojnë në formë të shkruar dhe me gojë inspektorët e AKU-së. Po ashtu në fokus të këtij komisioni do të jenë edhe aplikantët e rij.
Qëllimi sipas Denajt është “për të sjellë në këtë institucion një qasje të re, një frymë të re dhe mbi të gjitha një etikë të re”.
Kujtojmë se pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama në një bashkëbisedim për bujqësinë dhe zhvillimin rural tha se aktiviteti i AKU-së duhet të pezullohet pasi më shumë dëmton konsumatorët shqiptarë se sa u bën mirë.