Një ngjarje e pazakontë dhe e rrezikshme ka ndodhur mbrëmë, 31 mars, në qytetin e Vlorës. Një i mitur rreth 14 vjeç ka drejtuar një automjet, me bashkëmoshatarin e tij si pasagjer.
Sipas informacioneve paraprake, ata dyshohet se kanë goditur disa automjete gjatë lëvizjes, çka ka bërë që të ndiqen nga patrullat e policisë së rendit dhe asaj rrugore në disa zona të ndryshme të qytetit.
Gjatë ndjekjes, drejtuesi i mjetit ka përplasur një automjet të forcave “Shqiponja” dhe më pas një tjetër mjet policie, duke shkaktuar plagosjen e dy efektivëve, të cilët janë transportuar për ndihmë mjekësore.
Pas ngjarjes, autori është larguar drejt banesës së tij dhe më pas është dorëzuar në komisariat.
Policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje. Forcat “Shqiponja” kanë gjetur në lagjen Partizani “Golf”-in që goditi automjetet e policisë.
