Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar që prej orës 08:30 po zhvillohet seanca paraprake për verifikimin e masës së sigurisë “arrest me burg” ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj dhe bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, të dyshuar për korrupsion në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe pastrim parash.
Sipas medieve mësohet se seanca është ndërprerë pasi avokatët kërkojnë kohë për t’u njohur me dosjen. Seanca pritet të rifillojë në orën 13:30.
Sot Pranë Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) janë mbledhur qytetarë dhe anëtarë të Partisë Socialiste të Tiranë në mbështetje të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Mbështetësit kanë shprehur solidaritetin e tyre ndaj Veliajt, duke e konsideruar atë një figurë kyçe në zhvillimin e kryeqytetit dhe një lider që ka punuar për transformimin e Tiranës. Ata kanë brohoritur në shenjë përkrahjeje, ndërsa theksuan se proceset ligjore nuk duhet të përdoren për qëllime politike.
Në të njëjtën seancë janë edhe biznesmeni Elman Abule, i dyshuar për pastrim parash dhe pesë të tjerët detyrim paraqitje që janë Gentian Sula, Fatmir Bektashi, Meriman Palushi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha, të dyshuar për korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendor.
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u arrestua mesditën e të hënës hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilët me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i paraqitën Veliajt masën e sigurisë.
Masa për të është caktuar nga gjyqtari Erjon Bani, ndërsa hetimi po kryhet nga prokurori Ols Dado.