Shqiptarët myslimanë në Zyrih të Zvicrës festuan Fitër Bajramin, duke shënuar përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazanit.
Qindra besimtarë u mblodhën që në orët e para të mëngjesit për të marrë pjesë në ceremonitë fetare, të cilat nisën me faljen e namazit të sabahut dhe vijuan me ligjërata dhe lexim të Kuranit, kushtuar kësaj dite të shenjtë.
Ceremonia u drejtua nga teologu Bashkim Aliu, i cili në mesazhin e tij theksoi se Islami nuk është vetëm një përkatësi kulturore, por një mënyrë jetese që formëson ndërgjegjen, disiplinon shpirtin dhe forcon raportin e njeriut me shoqërinë.
Ai bëri thirrje për afrimin sa më të madh me Zotin, duke e cilësuar këtë si rrugën e vetme drejt paqes dhe harmonisë.
Fitër Bajrami në Zvicër shoqërohet edhe me pritje tradicionale dhe vizita familjare, ndërsa komuniteti organizon urime dhe aktivitete festive për besimtarët.
Kjo ditë mbetet një simbol i fortë i bashkëjetesës, mëshirës dhe kujdesit për njëri-tjetrin, duke forcuar lidhjet brenda komunitetit shqiptar në diasporë.
