Ftesa për qeverinë shqiptare për të paraqitur dokumentin për “Pozicionin Negociues për Grupimin e parë të kapitujve “Themelorët” për negociatat për anëtarësimin në BE” ka ardhur nga Presidenca Hungareza e Këshillit të BE- së nëpërmjet një letre të datës 25 shtator.
Qeveria i ka përcjellë këtë letër Kuvendit duke kërkuar që të angazhohet për të miratuar dokumentin negociues me të cilin ajo do të paraqitet në këtë mbledhje ndërqeveritare.
Letra e qeverisë, të cilën BIRN e ka parë, kërkon shqyrtimin “me prioritet të lartë” me procedurë të përshpejtuar nga komisioni parlamentar për Çështjet Europiane të draft-dokumentit të përgatitur nga Grupi Negociator, në bazë të Raportit Screening të Bashkimit Evropian.
Një vit më parë Kuvendi miratoi dispozita të reja ligjore që parashikojnë procedura dhe afate për shqyrtimin e pozicioneve negociuese, duke e detyruar ministrin përgjegjës që të mbajë të informuar Kuvendin dhe të marrë në konsideratë çdo rekomandim që i vjen nga komisioni parlamentar mbi pozicionet negociuese.
Kryeministria i tha BIRN-it se “nuk ka komente për momentin” për letrën dhe se çfarë pritet të ndodhë në vijim me procesin e integrimit.