Pas rastit të Francesco Becchettit, ku Shqipëria humbi dhe u detyrua të paguante 130 milionë euro, vendi është përballe vendimit për një tjetër konfiskim. Kompania “Omni Bridgeway”, një financier i proceseve gjyqësore, ka marrë të drejtën nga një gjykatë federale në Uashington që të konfiskojë asetet që i përkasin Shqipërisë jashtë vendit.
Në vitin 2017, fushat e naftës u rikombinuan nga Albpetrol, pasi kompania pretendonte se GBC Oil nuk kishte përmbushur detyrimet dhe kishte borxhe të mëdha ndaj shtetit. GBC Oil iu drejtua Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit në Zvicër, dhe në 2020 fitoi 12.7 milionë dollarë kompensim. Vendimi u konfirmua më pas edhe nga gjykata amerikane në Uashington, por Shqipëria nuk ka ndërmarrë asnjë hap për ta ekzekutuar atë.
Prandaj, Omni Bridgeway kërkoi nga gjykata lejen për të marrë masa kundër aseteve shqiptare jashtë vendit, duke shfrytëzuar të njëjtin parashikim që u përdor edhe në rastin e Albcontrol dhe Becchettit. Gjykata e aprovoi kërkesën dhe pas këtij vendimi, Shqipëria pritet të humbasë para ose asete jashtë vendit për të përmbushur vendimin e arbitrazhit, duke u vënë përsëri nën presion financiar dhe ligjor.

Ky rast tregon se vendimet ndërkombëtare, sidomos ato për taksat dhe koncesionet e naftës, mund të kenë pasoja direkte për asetet e shtetit, veçanërisht kur vendi nuk i përmbahet vendimeve gjyqësore. Shqipëria tani përballet me nevojën urgjente për të gjetur një zgjidhje ligjore për të shmangur konfiskimin e aseteve sovrane.
