Në përgjigje të lajmit të publikuar nga gazetari izraelit Amit Segal, i cili pretendonte se Shqipëria është duke diskutuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të pranuar 100 mijë palestinezë nga Gaza, kryeministri Edi Rama e ka cilësuar këtë raportim si të pavërtetë.
“Një pretendim krejtësisht i rremë,” deklaroi Rama. “Shqipëria nuk ka marrë ndonjë kërkesë të tillë dhe nuk do të pranojë një përgjegjësi të këtij lloji. Respektojmë dhe solidarizohemi me popullin e Gazës, i cili është viktimë e regjimit barbar të Hamasit dhe ka përjetuar një tragjedi të tmerrshme, por nuk është e vërtetë që Shqipëria po merr një rol të tillë.”
Kryeministri vuri në dukje se Shqipëria mban marrëdhënie të mira me vendet kryesore të Lindjes së Mesme, përfshirë Izraelin, Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe Katarin, si dhe ka njohur shtetin palestinez shumë vite më parë. Ai theksoi se, nga pozita e saj në Europë, Shqipëria nuk mund të bëjë më shumë sesa shtetet e tjera europiane në lidhje me çështjen e refugjatëve nga Gaza.
Rama shprehu gjithashtu dëshirën që populli palestinez të mund të jetojë në një shtet të tijin, të lirë dhe demokratik, dhe që dhuna e Hamasit të marrë fund për të mirën e të gjithë rajonit.
Shqipëria ka treguar angazhimin e saj humanitar për njerëzit në nevojë. Më 16 janar, vendi priti një familje nga Gaza si pjesë e një operacioni ndërkombëtar për evakuimin e personave në gjendje të rënduar. Fëmija i familjes kishte nevojë urgjente për trajtim mjekësor, gjë që u bë e mundur falë bashkëpunimit ndërkombëtar