Ballaa

Kuvendi u mblodh sot në seancë plenare për shqyrtimin dhe miratimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”.

Në urdhrin për thirrjen e seancës nga Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, thuhet se marrëveshja kërkon shumicë absolute votash për miratim.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi në fjalën e tij se Kuvendi i Shqipërisë thirret për të marrë një vendim me një peshë tepër të veçantë politike dhe historike, që shkon përtej rendit të zakonshëm të ditës dhe lidhet drejtpërdrejt me rolin e ri të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Sipas Ballës, Shqipëria është ftuar të marrë pjesë në këtë organizëm si Vend Anëtar Themelues, një ftesë që, sipas tij, përfaqëson një vlerësim të drejtpërdrejtë ndërkombëtar për rolin konstruktiv dhe të besueshëm të vendit në arenën ndërkombëtare.

“Shqipëria nuk ftohet si vëzhguese, por si bashkarkitekte në ndërtimin e një mekanizmi të ri ndërkombëtar për paqen”, u shpreh Balla, duke theksuar se ky zhvillim e vendos vendin nga periferia e diskutimeve globale, në qendër të vendimmarrjes ndërkombëtare.

Ai bëri me dije se, sipas Kartës së Bordit të Paqes, pjesëmarrja e shteteve anëtare nuk cenon sovranitetin kombëtar, ndërsa angazhimi në misione dhe financimi janë vullnetare. Po ashtu, çdo shtet anëtar gëzon të drejtë të barabartë vote dhe rol aktiv në drejtimin strategjik të organizmit.

Duke iu referuar letrës zyrtare drejtuar Kryeministrit të Shqipërisë, Balla tha se Presidenti i Shteteve të Bashkuara e ka cilësuar nismën si një përpjekje historike për ndërtimin e paqes, e bazuar në një qasje pragmatike dhe të orientuar drejt rezultateve konkrete, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Sipas Ballës, ftesa për anëtarësim konfirmon forcën e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe pasqyron besimin ndaj politikës së jashtme shqiptare si të qëndrueshme dhe të përgjegjshme.

Projektligji synon ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes. Këshilli i Ministrave e ka miratuar në parim marrëveshjen më 21 janar.

Marrëveshja synon krijimin e Bordit të Paqes si një organizatë ndërkombëtare, me personalitet ligjor ndërkombëtar, me qëllim promovimin e stabilitetit, rivendosjen e një qeverisjeje të besueshme dhe të ligjshme, si dhe sigurimin e paqes së qëndrueshme në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti.

Bordi i Paqes do të ndërmarrë funksione të ndërtimit të paqes në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe me këtë Kartë, duke përfshirë zhvillimin dhe përhapjen e praktikave më të mira të mundshme për t’u zbatuar nga të gjitha shtetet dhe komunitetet që kërkojnë paqe.

Seanca plenare u kërkua pasditen e djeshme nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, përmes një shkrese zyrtare, për ratifikimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes për pranimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights