Bashkëshortja e Rexhep Selimit, Shqipe Selimi para se të hyjë në seancën që po mbahet sot në Hagë deklaroi se ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës qëndrojnë ballëhapur se kanë bërë luftë çlirimtare.
Selimi është e bindur se vendimi final do të jetë lirimi i ish-krerëve të UÇK-së të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë nga nëntori i vitit 2020.
Shqipe Selimi, e cila ishte luftëtare gjatë luftës, e ka quajtur të padrejtë qëndrimin e Gjykatës dhe Prokurorisë Speciale që nga themelimi i saj.
“Kjo gjykatë ka qenë e padrejtë që prej fillimit, e padrejtë që është themeluar dhe padrejtësisht po e gjykon Kosovën dhe luftën tonë. Ne si ushtarë qëndrojmë ballëhapur se kemi bërë luftë çlirimtare, për këtë jam shumë e bindur dhe gjykatësit do ta shohin, do ta shohin këtë të drejtë”, tha Selimi.
Lidhur me kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për 45 vjet burgim për secilin nga kartëshja e UÇK-së, Selimi tha se nuk është pritur më mirë nga kjo gjykatë, por bashkëshortja e gjeneralit, Rexhep Selimit pret lirimin e ish-krerëve të UÇK-së.
“Nuk është pritur gjë më e mirë prej kësaj gjykate përveç ajo shumë, që ata pretendojnë që duhet të dënohet, mirëpo atë numër të dënimit nuk do ta pranoj gjykata dhe nuk e besoj që do të jetë ajo shifër e dënimit, sepse unë pres që ata të lirohen”, theksoi ajo.
Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Shqipe Selimi nga Haga tha se lufta e UÇK ka qenë e drejtë.
“Është një proces shumë i rëndësishëm që është duke ndodhur jo vetëm për katërshin e UÇK-së, por për gjithë Kosovën. Dihet që lufta ishte çlirimtare jo pushtuese, lufta jonë çlirimtare ka qenë e drejtë, në të drejtën e popullit dhe për këtë arsye jemi sot të gjithë bashkë këtu që t’i dalim në mbështetje katërshes së udhëheqësve të UÇK-së. Ne shpresojmë që ky verdikt, jo sot, por në të ardhmen i gjykatës, i gjykatësve, të trupit gjykues, të jetë në të drejtën e tyre, në të drejtën tonë”, deklaroi Selimi.
Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë trupit gjykues pritet t’u drejtohen me fjalët përmbyllëse edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, secili nga 20 minuta kohë.
Paraprakisht do të dëgjohen edhe mbrojtja e secilit prej katërshes së UÇK-së.
Ndërsa, më 9 shkurt të këtij në Dhomat e Specializuara ka nisur paraqitja e fjalës përmbyllëse në rastin e ish-krerëve të UÇK-së.
Kjo shënon fazën përfundimtare të procesit më të madh gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit kanë kërkuar që ata të shpallen të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Ata kanë deklaruar para trupit gjykues se nuk ka asnjë provë që argumenton pretendimet e ZPS-së për krime lufte.
Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly West ka kërkuar dënim me burgim prej 45 vitesh, për secilin nga ish-krerët e UÇK-së.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata i kanë cilësuar si të pabazuara. Edhe mbrojtja i ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese.
Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.
