Turistët dhe vendasit janë evakuuar për shkak të shpërthimit të një vullkani në Isandë të martën.
Lava e zjarrtë ka krijuar një të çarë të madhe rreth 1.2 kilometër të gjatë. Gjatë ditës janë shkaktuar tërmete të shumta në zonën vullkanike.
Vullkani është pranë qytetit Grindavik dhe qendrës së famshme estetike Blue Lagoon. Sipas mediave lokale, një numër i vogël banorësh kanë refuzuar të largohen.

Edhe barrierat mbrojtëse rreth qytetit janë dëmtuar pasi një e çarë e re u hap disa qindra metra në pjesën e brendshme, raportoi Zyra Meteorologjike e Islandës.
Presidentja e këshillit të qytetit, Asrun Kristinsdottir tha se ishte “tmerrësisht e vështirë” ta shihje këtë zhvillim brenda perimetrit të sigurisë.

Banorëve u është kërkuar të largohen nga zona e rrezikut, por disa persona që banojnë në “shtatë ose tetë shtëpi… kanë vendosur të qëndrojnë në qytet”, tha një punonjës i policisë për RUV.
Një përfaqësues nga Qendra Veriore Vullkanologjike u shpreh se tremben që qyteti “mund të rrezikohet nga rrjedhja e lavës në zonat e banuara”.

Një tubacion me ujë të nxehtë në anën veriore të Grindavikut, është prishur duke konfirmuar se brenda qytetit ka një çarje të konsiderueshme. Aktiviteti vullkanik u pakësua pasditen e së martës.
Sipas drejtimit të erës, ndotja nga gazi i çliruar prej shpërthimit do të drejtohet në verilindje dhe drejt kryeqytetit. Shpërthimi nisi në orën 09:45 lokale dhe ndodhi pas rënies së disa tërmeteve në zonën e njohur si krateret Sundhnuk.

Islanda ka 33 sisteme aktive vullkanike dhe ndodhet në kufirin mes dy plakave më të mëdha tekntonike të planetit, në Kreshtën e Mesme të Atlantikut.