Një shpërthim ka ndodhur mëngjesin e kësaj të premteje në fabrikën e armëve “Krušik” në qytetin Valjevë të Serbisë, duke lënë të lënduar disa punonjës.
Sipas njoftimit zyrtar të kompanisë HK “Krušik” AD Valjevo, incidenti ndodhi rreth orës 07:40, gjatë operacioneve të rregullta të presimit të pentritit, një material shpërthyes. Gjatë këtij procesi, është aktivizuar amplifikatori i çakmakut në presë, çka ka shkaktuar shpërthimin.
Burime jozyrtare nga spitali bëjnë me dije se numri total i të lënduarve është shtatë, por lëndimet raportohen të jenë të lehta.
Kompania Krušik ka konfirmuar incidentin dhe ka theksuar se po vijon hetimi i brendshëm për të përcaktuar shkaqet e sakta të ngjarjes.
Fabrika “Krušik” është një nga objektet kryesore të industrisë së mbrojtjes në Serbi dhe ka qenë në të kaluarën subjekt i disa aksidenteve të ngjashme në linjat e prodhimit të materialeve shpërthyese
Më 3 gusht 2024, tre punonjës u lënduan lehtë gjatë punës me kapsolla në repartin e minave të fabrikës.