Përmbytjet e zonave bujqësore për shkak të reshjeve intensive që përfshinë vendin në fillim të janarit, sollën situatë problematike edhe për blegtorinë.
Përveç masave paraprake për mbrojtjen e gjësë së gjallë në zonat e përmbytura, tashmë masat po përqendrohen në sigurimin e ushqimit për kafshët.
Drejtori i Agjencisë së Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve në Vlorë, Adila Kodheli, deklaroi për ATSH se deri më tani janë shpërndarë 22 mijë tonë koncentrat për blegtorinë në zonat e prekura nga përmbytjet në qarqet Fier dhe Vlorë.
Sipas Kodhelit, grupet e specialistëve të bujqësisë dhe veterinarisë ndodhen në terren, pranë fermerëve të dëmtuar, për të vlerësuar situatën dhe për të ofruar ndihmën e nevojshme. Ai theksoi se procesi i ndihmës do të vijojë edhe në ditët në vijim, në funksion të nevojave që paraqesin fermerët.
“Aktualisht po vërehet tërheqje graduale e ujit nga tokat e përmbytura dhe situata është nën kontroll. Ne jemi në koordinim të vazhdueshëm me strukturat e emergjencave civile për çdo nevojë që paraqitet” tha Kodheli.
Sa i përket dëmeve në blegtori, ai bëri të ditur se në qarkun e Vlorës janë dëmtuar rreth 20 krerë bagëti të imëta, ndërsa në qarkun e Fierit kanë ndërhyrë grupet e specializuara për shpëtimin dhe mbrojtjen e blegtorisë së rrezikuar.
Sipas tij, nevojat më emergjente aktualisht lidhen me sigurimin e bazës ushqimore për blegtorinë, ndërsa strukturat përkatëse vijojnë monitorimin e situatës dhe asistencën për fermerët në zonat e prekura nga përmbytjet, teksa garantoi angazhim maksimal të strukturave për t’iu gjendur pranë të gjithë atyre që kanë nevojë në situatën e krijuar nga moti keq deri në nomalizimin e gjendjes
