Kreu i ri i spak 1024x574

Në mbledhjen e sotme, 17 shtator, të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) është shpallur zyrtarisht vakanca për kreun e ri të Prokurorisë së Posaçme AntiKorrupsion (SPAK).

Prokurorët do të kenë mundësi të aplikojnë për këtë post me rëndësi deri më 8 tetor të këtij viti. Në këtë datë do të publikohet lista finale, më pas do përcaktohet data për zhvillimin e intervistave sipas rendit alfabetik.

Ndryshe nga hera e fundit, kur ishte më e qartë se kush do të ishte pasuesi i Arben Krajës, këtë herë situata duket më komplekse pasi ende nuk ka një emër konkret.

Procedura për drejtuesin e ri të SPAK nisi 3 muaj para mbarimit të mandatit aktual. Altin Dumanit i mbaron mandati në 18 dhjetor 2025.

Vlen të theksohet se sipas ligjit, Dumanit nuk i lejohet të rikandidojë për të qenë në krye të SPAK. Ai e mori detyrën e rëndësishme në vitin 2022, me 5 vota pro të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë

“Mandati i z. Dumani si drejtues i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të jetë 3 vjet pa të drejtë rizgjedhje duke filluar nga data 19.12.2022 deri në 18.12.2025“, bëri me dije KLP asokohe.

Dosje me peshë dhe karrierë e gjatë (Kriteret)

Secili nga prokurorët në SPAK, mund të shpresë interesin për ta drejtuar këtë institucion.

Teksa ende nuk dihet sa do jetë numri i aplikantëve, ata që mund të aspirojnë për këtë post do të dorëzojnë platformën e tyre te KLP.

Ndër kriteret kryesore te aplikuesit është që së paku të kenë mbajtur një post drejtues në karrierën e tyre, do të shihen dosjet që kanë drejtuar, vizioni që kanë si dhe mënyra si do bashkëpunojnë qoftë me agjencitë e huaja ligjzbatuese, ashtu edhe me institucionet shqiptare apo mediat.

Kreu i ri i SPAK do duhet patjetër që të ketë një karrierë të gjatë si magjistrat, me dosje me peshë, të cilat mund të paraqiten si arritje.

VanHorn: Sado efektiv mandati i tij, Dumani s’mund të garojë

Në mbledhjen e KLP-së ishin të pranishëm edhe zyrtarë amerikanë.

E Ngarkuara me Punë e SHBA-ve, Nancy VanHorn ka deklaruar se nuk mund të ketë ndryshim të rregullores dhe SPAK duhet t’i nënshtrohet ligjeve të vendit.

Thënë kjo, Dumani nuk mund të rikandidojë, sado efektiv të ketë qenë mandati i tij.

“Procesi i përzgjedhjes së pasardhësit të tij duhet të jetë i paanshëm, transparent dhe i lirë nga ndikimet e jashtme. Ata që dëshirojnë ta shohin Shqipërinë të vazhdojë luftën kundër krimit dhe korrupsionit, përfshirë partnerët ndërkombëtarë, janë shumë të interesuar për këtë proces dhe do ta ndjekin nga afër”, ka deklaruar VanHorn.

Kreu i SPAK që shënoi historinë e luftës kundër korrupsionit

Altin Dumani e nisi punën në prokurorinë shqiptare në vitin 1999. Me një angazhim mbi 23 vjeçar në prokurori, karriera e tij nisi në Sarandë si oficer i Policisë Gjyqësore. Më pas ai u bë drejtues i Rrethit Gjyqësor Tropojë.

Për disa vite me radhë punoi në Prokurorinë e Përgjithshme në Tiranë, në Drejtorinë e Krimit të Organizuar. Po ashtu Dumani ka punuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranës.

Gjithashtu, që në prej krijimit të Prokurorisë për Krimet e Rënda ishte pjesë e grupit të prokurorëve dhe 8 muaj pasi ishte pjesë e saj u emërua zv/drejtues në të asaj prokurorie deri në vitin 2007 dhe nga qershori i atij viti, iu besua detyra për të drejtuar njësinë e përbashkët hetimore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për hetimin e krimit ekonomik dhe korrupsionit.

Pas 3 viteve në këtë njësi u transferua në Prokurorinë e Apelit Tiranë, ku qëndroi 8 vjet. Fillimisht i profilizuar kryesisht për çështjet e korrupsionit dhe pastrimit të parave. Me krijimin e Prokurorisë së Posaçme Dumani iu përgjigj thirrjes së Këshillit të Lartë të prokurorisë për t’u bërë pjesë e Prokurorisë së Posaçme. Dumani u zgjodh një ndër anëtarët e Prokurorisë së Posaçme me një vlerësim maksimal nga ana e KLP.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights