Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike shpalli sot vakancën për anëtarët e Komisionit Rregullator të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe për nënkomisioneren Shtetëror të Zgjedhjeve, Lealba Pelinku, mandati të cilëve përfundon në datën 5 tetor.
Por procedura për përzgjedhjen e anëtarëve të rinj të Komisionin Rregullator shkaktoi debat në komision, për shkak të zgjedhjeve të dekretuara nga Presidenti Bajram Begaj në 6 bashki të cilat do të mbahen më 9 nëntor, pasi sipas opozitës “jemi para mundësisë që komisioni të mos jetë në kohë”. Gjatë mbledhjes u diskutua që Komisioni Rregullator aktual të vijojë punën deri në zgjedhjen e anëtarëve të rinj.
Gjatë fjalës së tij kryetari i Komisionit, Ulsi Manja tha se Komisioni i Ligjeve do të ngrejë një komision ad hoc për të ndjekur procedurën pas shpalljes së vakancës. Manja propozoi nga Partia Socialiste dy anëtarët Damian Gjiknurin dhe Ermal Pacajn, ndërsa opozita pritet ta propozojë mbledhjen e radhës.
“20 ditë afati i publikimit, nga e nesërmja të publikohet shpallja e vakancave për në Komisionin Rregullator në KQZ. 20 ditë afati i paraqitjes së dokumenteve. Për efekt të punës së komisionit të Ligjeve ky grupi i punës që ngre ky komision është 3 anëtarë, ne i kemi dy tonët, ju në mbledhjen tjetër mund të na sugjeroni një nga kolegët që t’i bashkëngjitet këtij grupi dhe të ndjekë procedurën 20-ditore”, tha Manja.
Manja u ndal edhe te puna e Komisionit Rregullator nëse mbaron fiks në datën 5 tetor, ndërsa u diskutua mundësia nga palët politike që të vijojë punën deri në përfundimin e zgjedhjeve.
“Vazhdimësia e punës së Komisionit Rregullator, sigurisht unë si kryetar do të kërkoj dhe një opinion nga shërbimet juridike, lidhur nëse afati, data 5 tetori është prekluziv, përtej të cilit nuk e vazhdojnë dot të kryejnë funksionin, apo për sa kohë ligji nuk është i definuar qartë në këtë pikë ata mund të vazhdojnë në detyrë të garantojnë vendimmarrjen sa i takon procesit zgjedhor. Duke interpretuar në mënyrë pozitive të shihen dhe rastet e sqarojmë në një mbledhje tjetër”, tha Manja.
Gjiknuri u shpreh se “në ligj është e paqartë pavarësisht se në rastin e nën komisionerit ka vazhduar funksionin edhe pas mbarimit të mandatit, është mbyllur një sy”.
Deputeti Oerd Bylykbashi tha se “sa kohë nuk kemi një afat, sa kohë kemi nisur një procedurë për emërimin, jemi në një proces zëvendësimin, ai organ atje duhet të garantojë të gjitha procedurat e nevojshme sipas Kodit Zgjedhor në lidhje me mbarëvajtjen e çdo procesi atje përfshirë në mënyrë të veçantë atë të zgjedhjeve. Një nga organet është dhe nënkomisioneri dhe për rrjedhojë bëjmë proces të plotë deri në përfundimin e zgjedhjeve”.
Bylykbashi gjithashtu cilësoi edhe dekretin e zgjedhjeve nga Presidenti Begaj si nul dhe në kundërshtim me Kushtetutën.
“Vakancat kanë ndodhur në kohë, duhet të ishin njoftuar në kohë zgjedhjet duhet të kishin ndodhur më përpara. Data e dekretuar është nul, sa kohë ka një çështje në Gjykatën Kushtetuese për t’u shqyrtuar dhe deri sa të shprehet Gjykata Kushtetuese dekreti është i paqenë”, tha Bylykbashi.
Sakaq deputeti Sajmir Korreshi shtoi se “Komisioni Rregullator është e vetmja garanci që ka opozita në KQZ. Nuk mund ta kalojmë me një njoftim”.
Anëtarët aktualë të Komisionit Rregullator të Zgjedhjeve që u mbaron mandati më 5 tetor janë Ilirjana Nano, Dritan Çaka, Arens Çela, Muharrem Çakaj, Helga Vukaj.