Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Shqipërisë ka reaguar sot, 13 janar, për disa shtesa dhe ndryshime në projektligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve duke e konsideruar një nga dispozitat e tij jo në përputhje me Kushtetutën.
Sipas Shoqatës, neni 12 i projektligjit që parashikon konfirmimin e kryetarëve të gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit deri në vitin 2028, cenon pavarësinë e gjyqësorit dhe uzurpon kompetencën e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) për emërimin e kryetarëve.
“Një normë e cila vlerësohet si shumë problematike nga pikëpamja kushtetuese. Konkretisht bëhet fjalë për nenin 12 të këtij projektligji, që synon të shtojë nenin 170/3 në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve ne Republikën e Shqipërisë”. Nëpërmjet kësaj norme, kryetarët në detyrë të gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit të juridiksionit të përgjithshëm dhe atij administrativ konfirmohen si kryetarë të emëruar deri në datën 31 dhjetor 2028, duke shmangur sakaq garën për këto poste drejtuese në pushtetin gjyqësor”, theksohet në reagim.
Shoqata thotë se kjo normë është e panevojshme, pasi KLGJ-ja tashmë ka miratuar procedurat për zgjedhjen e kryetarëve dhe funksionet janë kryer nga zëvendëskryetarët për gati 6 vjet.
Ajo kujton gjithashtu se tentativa të ngjashme në të kaluarën janë shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese.
Shoqata fton Kuvendin të respektojë standardet kushtetuese dhe pavarësinë e pushtetit gjyqësor, duke ofruar në të njëjtën kohë bashkëpunim për përmirësimin e kuadrit ligjor.
